Sot fillon faza e parë e dezinsektimit hapësinor në Komunën e Prishtinës, duke filluar nga ora 19:00.
Në njoftim thuhet se kjo ditë është zgjedhur pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e Komunës së Prishtinës dhe kompanisë pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot stabil dhe pa reshje, për arsye se reshjet gjatë procesit të dezinsektimit e bëjnë të paefektshëm aksionin.
Duke u bazuar ne këto të dhëna, sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe e përgjithshme prej mbi 6000 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të këtyre insekteve.
“Edhe këtë vit do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.
Komuna e Prishtinës kërkon nga qytetarët që gjatë kohës së dezinsektimit t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen insektet brenda dhe të kufizojnë daljet nëpër hapësirat ku është duke u kryer dezinsektimi së paku për një orë.
Gjithashtu apelohet te shoqatat e bletarëve për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/