Telegrafi

Sot është njëmbëdhjetë vjetori i vdekjes së Nënë Terezës

Derisa në Maqedoni zhvillohen një sërë aktivitetesh tradicionale për ta kujtuar përvjetorin e amshimit të nobelistes shqiptare, shteti shqiptar thuajse ka harruar plotësisht këtë datë duke mos organizuar asnjë eveniment për këtë ditë të rëndësishme.

Homazhe të shumta në nderim të saj po kryen në Kalkuta. Misionarë që kanë punuar dhe jetuar më Nënë Terezën, mijëra mbështetës të bamirëses kanë bërë homazhe në varrin e saj në Indi, duke e zbukuruar më lule të bardha dhe qirinj. Mesha ne Kalkuta u drejtua nga Peshkopi Lukas Sirkar dhe homazhet janë kryer që ne orët e para të mëngjesit. Ceremoni janë kryer edhe nga besimtaret katolike ne vende te ndryshme ne bote.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi). Ajo u cilësua si humaniste dhe për këtë është nderuar dhe me çmimin Nobel për Paqe.

Gonxhja ishte fëmija e tretë e Kole Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Lindi në Shkup më datë 26 gusht 1910. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Mësimet e para i bëri në një shkollë shqipe në Shkup, ndërsa gjimnazin, po në atë qytet, në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e saj të rinisë ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe të recitonte poezi, të kompozonte dhe të luante muzikë. Emrin Tereza e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.

Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës iu kushtua të varfërve dhe të sëmurëve. Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t’i printe Kongregatës së saj dhe t’u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Në vitin 1997 pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.

Nënë Tereza u lumturua në vitin 2003 nga Papa Gjon Pali i II, duke u bere personi i pare për të cilën reduktohet procedura e shenjtërimit. Mrekullia qe e kualifikoi për të ecur në rrugën e shenjtërimit, ishte shërimi i një tumori vdekjeprurës te një grua e sëmure. Miliona katolike po presin lajme për mrekullinë e dyte te kryer prej saj, që Nene Tereza te konsiderohet shenjt. /bw/ina/telegrafi/