Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se do të zbulojë tarifat tregtare “reciproke” sot, duke shtuar se “sot është dita më e madhe”.
Vendet në mbarë botën kanë pritur për detaje mbi tarifat e mundshme, në mes të një sërë kërcënimesh nga Shtëpia e Bardhë, transmeton Telegrafi.
“Tri javë të shkëlqyera, ndoshta më të mirat ndonjëherë. Sot është më e rëndësishmja: tarifat reciproke”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social” të enjten në mëngjes, duke mos dhënë detaje të tjera.
Nuk është e qartë se çfarë nënkupton presidenti me “reciproke”. Trump ka njoftuar tashmë një seri tarifash për vende të ndryshme – pjesë e një shtytjeje agresive nga administrata e tij për të rivendosur tregtinë globale.
Udhëheqësi amerikan pretendon se rritja e çmimeve për njerëzit dhe kompanitë që blejnë produkte të prodhuara nga jashtë, do të forcojnë përfundimisht prodhimin vendas.
Megjithatë, ekonomistët kanë vënë në dyshim nëse ato do të çojnë në çmime më të larta për konsumatorët.
Trump ka njoftuar tashmë tarifat për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit, duke filluar nga 12 marsi dhe ka vendosur tarifa 10 për qind për mallrat nga Kina.
Ai ka vendosur një pezullim 30-ditor të tarifave për mallrat nga fqinjët e tij, Kanadaja dhe Meksika.
Gjithashtu ka paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar “është jashtë linjës” në tregtinë me SHBA, dhe u tha gazetarëve “ne do të shohim se çfarë do të ndodhë”. Por ai tha se ishte i bindur se situata “mund të zgjidhet” pa tarifa.
Shtëpia e Bardhë kishte treguar se njoftimi i sotëm do të ndodhte përpara se Trump të takohet me kryeministrin indian Narendra Modi në orën 16:00. /Telegrafi/