Një goditje e fortë, e papritur, vetëm në fund: Annegret Kramp-Karrenbauer (AKK), prej një viti kryetare e partisë kristiandemokrate, CDU, shtroi pyetjen e kryesimit të partisë në kongresin e CDU-së në Lajpcig. Nëse partia e do këtë, ajo e lë detyrën sot, në këtë moment dhe këtu… tha në fund të fjalimit të saj, AKK. Llogaria e saj doli: Delegatët e kongresit të CDU-së e mbështetën kryetaren e partisë, me duartrokitje të gjata e ritmike. Për fjalimin, Kramp-Karrenbauer korri lëvdata madje edhe nga vetë kritikët.
Presioni ndaj kryetares së partisë, Annegret Kramp-Karrenbauer (AKK) në këtë kongres ishte i madh. Shumë i madh. Ajo ndodhej me shpatulla pas muri. AKK i duhej një goditje çliruese. Që kjo u bë e nevojshme pas një kohe shumë të shkurtër drejtimi tregon, se ajo ka bërë shumë gabime.
Në fjalimin e saj, Annegret Kramp-Karrenbauer (AKK) e vuri gishtin tek temat e së ardhmes: digjitalizimi, inteligjenca artificiale, inovacioni, por edhe tek arsimi dhe politika e mbrojtjes. Në një botë që ndryshon vazhdimisht dhe që i bën kaq të pasigurtë njerëzit, AKK dëshiron që partia e saj të jetë ajo që përcakton drejtimin të lidhur me sukses me pushtetin.
Kritikët e saj prej muajsh kishin vënë në lëvizje një proces vetëshkatërrimi, si kurrë më parë në CDU. Një gjendje e tillë pakënaqësie e paralizoi partinë dhe i kushtoi në zgjedhjet e fundit në lande shumë vota. Uniteti – kjo ka qenë një marka dalluese e CDU-së. E gjithmonë, kur kjo parti ka qenë e bashkuar ka qenë edhe e suksesshme.
Me qëllim që ky unitet të ekzistojë edhe përtej fjalimit në kongresin e partisë, AKK duhet të ndryshojë strategjinë e saj. Lëshimet e shumta për kampin kundërshtar, vetëm se e kanë sfumuar profilin e saj, autenticitetin dhe i kanë dëmtuar besueshmërinë. Në vitin e parë si kryetare e CDU-së, AKK kërkoi afrimin me kritikët e saj. U përpoq të distancohej nga mbështetësja e saj, Angela Merkel dhe ta orientonte partinë më shumë drejt konservatorizmit të djathtë. Madje sekretar të përgjithshëm ajo bëri dikë që vinte nga kampi kundërshtar. Asgjë nga këto nuk u shpërblye. Tani në fjalimin e saj, ajo e vendosi CDU-në qartësisht në qendrën e shoqërisë
AKK tregoi në këtë kongres: ajo dëshiron të ndjekë rrugën e saj e të mësojë nga gabimet. Kryetarja e CDU-së është një luftëtare e durueshme. Tani këtë moment ajo duhet ta shfrytëzojë për një fillim të ri. Letrat për këtë ajo i ka në dorë. Si ministre e Mbrojtjes duhet të tregojë, se di të drejtojë një post të rëndësishëm të qeverisë, dhe që di të luajë edhe në skenën ndërkombëtare. Si kryetare partie duhet të tregojë, që ajo mund ta pozicionojë partinë rishtazi me një program të ri modern dhe përmbajtjesor.
Por, deri në zgjedhjet e Bundestagut – më së voni në vitin 2021 – është ende një rrugë e gjatë përpara. Nëse nuk prishet më parë koalicioni me socialdemokratët dhe Gjermania shkon në zgjedhje të parakohshme. Konkurrentët janë në pritje të rastit të përshtatshëm dhe të gabimeve të reja të AKK, për t’u futur vetë në garën për kancelar. Ky kongres ishte ende shumë herët edhe për vetë konkurrentët për ta vendosur këtë çështje. Edhe pas kongresit, kandidatura si kancelare, e me gjasë edhe pasardhëse e Merkelit nuk është aspak e vetëkuptueshme për kryetaren e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer (AKK). /DW/