Telegrafi

Sot dorëzohen vaksinat në kuadër të programit COVAX në Angola, Kamboxhia, Kongo dhe në Nigeri

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe aleanca e vaksinave Gavi, Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI) dhe UNICEF, synojnë që deri në fund të këtij viti të shpërndajnë 2 miliardë doza të vaksinave në 190 vende të botës, në kuadër të programit COVAX.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se furnizimet e vaksinave do të dorëzohen sot në Angola, Kamboxhia, në Kongo dhe në Nigeri.

Ai deklaroi se 237 milionë doza të vaksinës AstraZeneca-Oksford do të dorëzohen në 124 vende nga tani deri në fund të muajit maj.

Programi COVAX i krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka për qëllim t’ua sigurojë vendeve në zhvillim vaksinat kundër coronavirusit, në mesin e tyre bën pjesë edhe Kosova.

Kosova është i vetmi vend në rajon i cili nuk ka filluar fushatën e vaksinimit kundër virusit vdekjeprurës. /Telegrafi/