Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka shpallur të shtunën ditë zie, për të nderuar policin e vrarë në detyrë, Izet Demaj.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas rënies heroike në mbrojtje të qytetarëve dhe në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Izet Demaj, ditën e shtunë më 29 dhjetor 2018, në shenjë nderimi shtetëror e ka shpallur ditë zie në Republikën e Kosovës. Në ditën e zisë shtetërore, në shenjë respekti për aktin heroik të policit Izet Demaj, në pajtim me legjislacionin në fuqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e presidentit.
Kujtojmë se në Istog përveç policit Izet Demaj, i vdekur mbeti edhe grabitësi i bankës, Kamer Metaj, i cili paraprakisht kishte qëlluar për vdekje policin Demaj.
Sot mbahet ceremonia e varrimit për policin e vrarë në detyrë Izet Demaj. Ai do të varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare.