Telegrafi

Sot diskutohet për pasurinë e paligjshme në Kosovë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, sot organizon Panelin Diskutues me temën “Rritja e Efektivitetit të Luftës ndaj Pasurisë së Paligjshme në Kosovë”, që ka për qëllim të diskutojë mbi rritjen e efektivitetit të institucioneve në luftën kundër pasurisë së paligjshme në Kosovë, duke u fokusuar në konfiskimin e pasurisë së paligjshme si një ndër mekanizmat më efikas në luftën globale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Siç thuhet në njoftim, në fillim të diskutimit, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, do të prezantojë një Shënim Politikash të titulluar “Të dhënat mbi konfiskimin e pasurisë së kriminalizuar: Çfarë pasqyrojnë ato?” , i cili do të vë në pah të arriturat dhe sfidat e deritanishme të institucioneve përgjegjëse.

“Ky Shënim Politikash do të ofrojë një sërë rekomandimesh të cilat mëtojnë të ndihmojnë në rritjen e efektivitetit të institucioneve në këtë betejë. Ndër të tjera, në këtë Panel Diskutimi në fokus kryesorë do të jenë: a) sfidat aktuale të sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor në luftimin e pasurisë së paligjshme përmes konfiskimit, b) koordinimin horizontal të institucioneve kyçe, c) efikasitetin e komisioneve mbikëqyrëse, d) gatishmërinë e institucioneve përgjegjëse për të zbatuar masat e parapara me legjislacion, si dhe e) ndryshimet legjislative të cilat janë të nevojshme për rritje të efektivitetit kundër pasurimit të paligjshëm”.