Site icon Telegrafi

Sot bëhet e ditur se kush do të jenë kandidatët për deputetë

Sot (e premte) është afati i fundit që partitë politike të dorëzojnë në KQZ, listat me emrat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Partitë politike kanë punuar në përgatitjen e këtyre listave, mirëpo ende nuk i kanë finalizuar.

E vetmja parti e cila ka dorëzuar listën me 27 kandidatë është Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Ndërkaq, listën e ka finalizuar edhe AAK-ja, mirëpo e njëjta nuk e ka bërë ende dorëzimin e saj dhe as nuk e ka bërë publike.

Është thënë se në listat për deputetë nuk do të ketë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin.

Të paktën kështu kanë deklaruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka deklaruar se LDK ka parim që ata që janë të dënuar nga organet e drejtësisë, nuk do të përfshihen në listën e kandidatëve.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, disa nga partitë politike kanë vendosur t’i bashkojnë forcat e tyre dhe në zgjedhje të garojnë me një listë të përbashkët.

Partitë të cilat kanë arritur marrëveshje parazgjedhore janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Partinë Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, dhe koalicioni tjetër mes Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.

Ndryshe, fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet mbahen më 6 tetor. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë rreth 6 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version