Site icon Telegrafi

SOS

Departamenti i Kulturës, Arsimit, Shkencës e Shëndetësisë janë departamente që i prekin interesat kombëtare, ndërsa departamentet e tjera i përkasin interesave shtetërore. Kjo bëhet më e theksuar dhe shumë më e realtë sidomos në ato shtete që janë multietnike. Mandatori i mazhorancës etno-politike për asnjë çmim nuk do të hynte në bisedime për formim të qeverisë nëse minoranca politike do të këmbëngulte për të marrë një nga sektorët e lartpërmendur, sidomos Ministrinë e Kulturës. Ose, mund të jepen këto dikastere me kusht që ministrat t’i përgjigjeshin ekskluzivisht kryeministrit dhe jo edhe njëkohësisht liderit të partisë.

Lotët e krokodilit të plagosur

Më vitin 2006, kur vendin po e qeveriste koalicioni VMRO-PDSH, shqiptarët morën ministritë më të rëndësishme për një popull, ndonëse BDI-ja pa reshtur po përpiqej për ta minimizuar dhe nënvleftësuar këtë sukses. Për herë të parë në historinë e shkurtër apo të gjatë të Maqedonisë, shqiptarët po e drejtonin Ministrinë e Kulturës.

Për tetëmbëdhjetë muaj qeverisje shqiptarët arritën suksese të paimagjinueshme. Për herë të parë nisën të themelohen institucionet nacionale të kulturës shqiptare. Për herë të parë nisi të institucionalizohet jeta kulturore shqiptare, ndërsa institucionet ekzistuese “u pushtuan” edhe nga shqiptarët, të cilët më parë veç i shihnim me dylbi.

Manifestimet tradicionale ndërkombëtare inkuadruan në programet e tyre edhe pika nga kultura shqiptare! Shpërblimi i një poeti shqiptar me çmimin kurora e artë nga manifestimi “Netët strugane të poezisë” ishte, jo i paimagjinueshëm por, thjesht, barrierë strategjike nacionale e ngritur nga të gjithë intelektualët maqedonas.

PDSH-ja këmbënguli që, të paktën një vit këtë manifestim ta udhëheq një shqiptar i cili pastaj do ta realizonte synimin kombëtar të kësaj partie – me kurorën e artë të shpërblehej poeti më i mirë shqiptar, e që, më vitin 2007 ky shpërblim i shkoi Fatos Arapit.

Janë pikërisht këto suksese që e çuan deri te një reagim intern pulenin e Gruevskit që si urith po përpiqej t’i mihë deri në rrënim sukseset shqiptare në kulturë. Elizabeta Kançevska, sekretare shtetërore e atëhershme, kishte iniciuar një letër të hapur drejtuar kryeministrit Gruevski. Letra ishte nënshkruar prej të gjithë nëpunësve maqedonas, por jo edhe prej atyre që ishin nëpunës militantë të LSDM-së. Letra na erdhi në kabinet pikërisht nga një milatante e LSDM-së, e cila nuk kishte pranuar ta nënshkruajë letrën.

Në katër faqe e gjysëm ishte derdhur një vaj e një urrejtje. Po vajtohej me shumë mllef, pezëm e urrejtje strategjia kombëtare e PDSH-së që po e synonte institucionalizimin e plotë të jetës kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Po lutej Gruevski që sa më shpejt dhe në mënyrë urgjente të prishte koalicionin ose ta merrte këtë ministri, sepse, “nismat për themelim të institucioneve kulturore shqiptare po e rrezikonte identitetin kulturor e nacional të popullit të shenjtë maqedonas”!

Nënshkruesit e kësaj letre po derdhnin rrëke lotësh nga dhembja se si kultura shqiptare po nivelizohej me kulturën maqedonase. Vajtuesit po frikësoheshin se shumë shpejt shqiptarët do t’ua merrnin antikën maqedonasve. Ndaj dhe kryeministri lutej që, për hir të interesit kombëtar maqedonas, të hiqte dorë prej të gjitha ministrive, të gjitha t’ua jepte shqiptarëve, vetëm ta merrte në dorë Ministrinë e Kulturës.

Kush i hesht gazetarët shqiptar

Një vit më vonë kësaj letre të hapur drejtuar kryeministrit, ndodhi marrja e ministrisë së kulturës nga maqedonasit. Sot këtë dikaster e udhëheq iniciatorja e kësaj letre, personi më flegmatik përsa i përket jetës kulturore, personi i përbetuar për nëpërkëmbjen e jetës kulturore shqiptare, Elizabeta Kançevska, e cila, karrierën e vet në këtë ministri e nisi si sekretareshë e thjeshtë dhe sot, duke derdhur pa hesap pare nëpër mediat e vendit, prezantohet si ministreshë nga më të suksesshmet e kombit maqedonas.

Barometër për këtë sukses është vetëm forca për të shkelur sa më shumë e sa më gjatë mbi jetën kulturore shqiptare. Është për t’u habitur se si, sapo ky dikaster iu mor shqiptarëve u heshtën të gjithë ata gazetarë shqiptarë, të gjithë ata intelektualë shqiptarë (nja 2-3 më të zëshmit) të cilët derdhnin gurë e dru mbi këtë ministri derisa drejtohej me sukses nga shqiptarët.

Këta gazetarë ose atëherë ishin paguar nga shërbimet maqedonase që të bëjnë zhurmë, ose sot janë paguar prej po të njëjtëve shërbime që të heshtin përballë nëpërkëmbjes flagrante të kulturës shqiptare. A ka më turp dhe më ofendues se sa një aktivitet kulturor shqiptar të mohohet nga zëvendësministri serb!

Komisioni parlamentar për kulturë kishte kaluar kërkesën që sivjet të festohet 100 vjetori i shkollës së parë shqipe “Josif Bageri”! Natyrisht, ky komision parlamentar obligon ministrinë përkatëse për ta ndihmuar materialisht këtë përvjetor. Ministresha e refuzon, ndërsa, për të qenë refuzimi edhe më ofendues kërkon që këtë dokument ta nënshkruaj zëvendësministri që vjen nga radhët e pakicës serbe në Maqedoni.

Projektet që shtojnë buxhetin e partisë

Ka edhe një arsye tjetër, madje racionale për njeriun që nuk ka lidhje me kulturë, siç është kryeministri Gruevski, për marrjen e ministrisë së kulturës nga duart e shqiptarëve. Madje, çuditërisht, ndonëse posti sekretar shtetëror i takon shqiptarit, edhe sot e kësaj dite e vetmja ministri që nuk ka të emëruar person në këtë post është Ministria e Kulturës.

Duhet të shtyhet edhe pak kjo punë, derisa nuk përfundojnë të gjitha projektet “kulturore” të Qeverisë të cilat duhet t’i realizojë ministria e kulturës. Për momentin në proces është realizimi i projektit “100 nobelistët” që duhet të përkthehen vetëm në gjuhën maqedonase. Bëhet fjalë për miliona libra! Sikur të fitohej vetëm nga një euro në libër!

Pastaj përkthimi vetëm në maqedonisht i yjeve botërore, që nga antika e deri te më bashkëkohori, diku nja 500 autorë botërorë! Pastaj, përkthimi në anglisht, në frëngjisht, në rusisht, në arabisht madje edhe në kinezçe i projektit “Letërsia maqedonase”, mbi 100 autorë maqedonas. Përkthimi i mijëra titujve universitarë që përdoren si literaturë bazë nëpër universitetet më të mëdha botërore.

Gjithsesi, duhet nënvizuar edhe buxhetin për gjurmime arkeologjike, për ndërtimin e përmendoreve dhe të skulpturave. Po investimet kapitale!? Janë disa me dhjetëra! Të gjitha me tender! Tenderët janë të shpikur për të fituar para ekskluzivisht partia që udhëheq qeverinë! Ekziston një klauzolë e cila u mundëson në mënyrë interne që firmat fituese të tenderit më vonë të kërkojnë plus deri në 20 për qind të kostos së përgjithshme të projektit. Natyrisht, këto lekë do të shkojnë tek ai i cili bëhet “sebep” për t’u fituar tenderi.

Kryeministrit i interesojnë vetëm lekët, përfitimet, fitimet dhe mirëqenia ekonomike e partisë, ndërsa ministreshës së kulturës i intereson ta zbatojë kërkesën e kryeministrit. Në planin individual kjo ministreshë, me kabinetin e vet tërësisht femëror, me femra diletante e pa kurrfarë përgatitje profesionale, këmbëngul ta demonstrojë forcën në drejtim të realizimit të “projekteve kulturore”! Një nga këto “projekte” është edhe nëpërkëmbja, devalvimi dhe ngulfatja deri në asgjësim të kulturës shqiptare në Maqedoni.

Dikush duhet ta zmbraps këtë orientim obsesiv e psikopatik të ministreshës. Kësaj radhe “hisja” i ka ra BDI-së! Aty ku nuk ndërmerren hapat e shpëtimit, domethënë se solidarizimi me krimin është i përcaktuar si orientim i mëhershëm.

Exit mobile version