Telegrafi

Sopranoja Kajtazi-Halimi zë vendin e tretë në garën prestigjioze në Angli

Sopranoja e njohur kosovare, Elbenita Kajtazi-Halimi, ka zënë vendin e tretë në garën e njohur të këndimit “Glyndebourne Opera Cup” në Britani të Madhe. Përpos vendit të tretë, kosovarja 27-vjeçare fitoi edhe Çmimin e Publikut, që zgjidhet pjesërisht nga audienca në finale. Ajo me këtë rast ka kujtuar kohën kur si fëmijë ishte detyruar të largohej nga Kosova për shkak të luftës.

“Çdo herë ishte një situatë e rrezikshme – ushtarët vinin nëpër shtëpitë tona apo diçka e ngjashme – gjeja një vend në qosh dhe i këndoja vetes. Këndimi ishte mënyra ime për t’u ndier e sigurt”, ka thënë ajo.

Sa i përket çmimit të publikut, Kajtazi-Halimi është shprehur tejet e lumtur që ka marrë zemrat e dëgjuesve anglezë.

Amerikania Samantha Hankey fitoi vendin e parë, duke siguruar 15 mijë funte dhe rol që brenda pesë vjetëve të prezantohet nëpër shtëpi prestigjioze operistike. Vendin e dytë e zuri amerikania tjetër Jacquelyn Stucker.