Telegrafi

Sopi rikthehet me “Stand Up”, këtë herë në Pallatin e Kulturës në Tetovë

Për herë të parë që nga viti 2018, aktori i mirënjohur nga Tetova Hasim Memishi – Sopi, do të rikthehet me “Stand Up”. Këtë herë në një hapësirë më të madhe. Më 26 qershor në Pallatin Kulturës në Tetovë, Sopi i fton të gjithë tetovarët, por edhe dashamirët e humorit të jenë pjesë e organizimit, në të cilin do të ketë edhe muzikë.

Në një prononcim për Telegrafi Maqedoni, Sopi thotë se më 26 qershor në “Stan Up-in” e tij do të preken shumë tema, duke nisur nga ato politike, ekonomike, sociale si dhe problemet nga përditshmëria e qytetarëve.

“StandUp-in kam filluar ta mendoj që në 2015, por nga angazhimet tjera që kam patur, nuk kam mundur ta realizoj. Realizimi i StandUp-it të parë ka ndodhur në 2018, mirëpo shumica e organizimeve kanë qenë nëpër salla më të vogla. Gjatë pandemisë, kam menduar njëherë ta bëj online, sepse e shikoja që njerëzit kanë nevojë për pozitivitet, mirëpo nuk u bë ta realizoj online për shkaqe teknike! Pas pandemisë shumë njerëz më kanë thënë pse nuk e organizon StandUp-in sepse kemi nevojë të qeshim, duke parë numrin e madh të ndjekësve që kam në rrjetet sociale, përfundimisht vendosa që kjo ngjarje duhet të bëhet në një sallë më të madhe, siç është ajo e pallatit të kulturës!”

“Mendoj se për çdo qytet që ka një kulturë të përgjithshme, është e nevojshme një ngjarje e tillë! Tetova me dy universitete, me shumë studentë, duhet ta ketë primare një gjë të tillë, sepse StandUp-i nuk është vetëm për të qesh, por më shumë për të reflektuar!”, tha Sopi.

Ai gjithashtu tha se organizimi ka filluar 1 muaj më herët dhe së bashku me ekipin e tij ka bërë çmos që kjo ngjarje të shkojë në veshin e çdo qytetari.

“Përveç StandUp-it do ketë edhe disa pjesë muzikore nga Shpëtim Mustafa me bendin e tij, shpresoj se do të jetë një ngjarje e veçantë. Interesimi është shumë i madh, biletat kanë dal në shitje nga java e kaluar, por të shohim deri më 26 a kanë nevojë njerëzit për këto lloje ngjarjesh!”, tha Sopi./Telegrafi/