Telegrafi

Sony përgatit super-telefonin me kamerë 20MP

Njëra prej këtyre pajisjeve mobile të kompanisë thuhet se do të jetë fableti i quajtur Togari, i cili do të vijë me ekran masiv prej 6.44 inçësh, në teknologjinë Full HD. 

Fableti i ri i Sony, Togari thuhet se duhej të debutonte në Kongresin Mobil Botëror i cili është mbajtur në fillim të vitit në Barcelonë, por siç dihet, kjo gjë nuk ka ndodhur. 

Modeli i dytë i telefonit të mençur nga Sony do të jetë Honami, i cili do të jetë pjesë e iniciativës së brendimit të kompanisë “One Sony”, e cila do të sjell teknologjitë më të mira nga Sony në një pajisje të vetme mobile.

Sipas faqes kineze, ePrice thuhet se Honami do të posedojë ekranin e ndjeshëm në prekje me diagonale prej 5 inç në Full HD, procesorin me 2.3GHz quad-core Snapdragon 800, kamerë të pasme me 20 mega-piksel, bashkë me sensorin Cybershot CMOS dhe thjerrëzat e markës Carl Zeiss.

Karakteristikat tjera të këtij modeli do të përfshijnë edhe 2GB RAM, baterinë e palëvizshme me 2,700 mAh ose 3,000 mAh, ndërsa pajisja do të jetë rezistente ndaj ujit dhe pluhurit. Honami pritet të shfaqet në panairin e IFA-së, i cili mbahet në shtator të këtij viti. / Telegrafi /