Site icon Telegrafi

Sony ka shitur më shumë se 13.4 milionë kopje të konsolës PlayStation 5

Shitjet e konzollës, PlayStation pesë të Sony mbeten relativisht konstante dhe të forta, me kompaninë që ka shtuar më shumë se 13.4 milionë njësi deri më tani.

Sony shiti 3.3 milionë konzola gjatë tremujorit të dytë fiskal, ndërsa shiti 2.2 milionë në tremujorin e parë, dhe numri i përgjithshëm i konzollave të shitura që nga hyrja në treg është më shumë se 13.4 milionë njësi, konfirmoi Sony.

Shitjet e lojërave gjithashtu u rritën ndjeshëm, me 76.4 milionë kopje të shitura në tremujorin e dytë krahasuar me 63.6 milionë në tremujorin e mëparshëm. Shitjet e palëve të treta luajnë një rol të madh në këtë.

Një rritje e shëndetshme prej 27 për qind u regjistrua kur bëhet fjalë për të ardhurat nga lojërat, që janë 5.68 miliardë dollarë. Megjithatë, të ardhurat operative prej 728 milionë dollarësh janë më të ulëta në krahasim me tremujorin paraardhës, me 29 milionë dollarë. Viti fiskal i Sony përfundon më 31 mars 2022.

Pyetja është se si fitimet mund të jenë më të ulëta kur shitjet dhe të ardhurat janë rritur. Sony shiti më shumë lojëra tremujorin e kaluar, por shitjet e titujve të palës së parë ranë ndjeshëm nga 10.5 milionë në të kaluarën në 7.6 milionë në tremujorin e dytë. Numrat kompensohen nga lojërat e palëve të treta, por ato nuk janë aq fitimprurëse. Microsoft dhe Sony blenë studio lojrash për të përmirësuar titujt e tyre të palës së parë për Xbox dhe PlayStation, por Microsoft ishte më i suksesshëm.

Ndërsa shitjet e konzollave PS5 u rritën, shitjet e PS4 ranë ndjeshëm në vetëm 200 mijë njësi krahasuar me 500 mijë të shitura tremujorin e kaluar. Faktorë të tjerë të përmendur nga Sony janë humbjet që vijnë nga çmimet strategjike për PS5 që janë më të ulëta se kostot e prodhimit. Kjo do të thotë se Sony e shiti PS5 me fitime minimale ose negative gjatë këtij tremujori edhe pse tha në gusht se nuk po e shiste më PS5 me humbje.

Pavarësisht rënies së të ardhurave tremujore, divizioni i lojërave të Sony duket se është në një bazë solide. Një nga drejtorët e Sony, Hiroki Totoki, u tha investitorëve se objektivi i shitjeve të PS5 ishte vendosur më i lartë se 14.8 milionë njësi të arritura nga PS4 në vitin e tij të parë. Bazuar në shifrat e sotme, PS5 duket se po ndjek atë trajektore.

Sony tha se ka siguruar komponentë të mjaftueshëm për 22.6 milionë njësi që do të shiten deri në mars 2022. Kjo mund të jetë e mjaftueshme për të përmbushur objektivat e shitjeve, por nëse shitjet “shpërthejnë” gjatë festave, mungesa mund të vazhdojë vitin e ardhshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version