Sonte përkrahësit e Iniciativës qytetare “Protestoj” dhe simpatizantët e partive opozitare sonte protestuan në Ohër dhe në Kumanovë, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Në protestën e sotme për kthimin e drejtësisë, lirisë dhe demokracisë në Maqedoni që u mbajt në Ohër, para qytetarë të pranishëm foli Pece Mirçevski, anëtar i Këshillit ekzekutiv të LSDM i cili mes tjerash potencoi se pushteti kriminal ka shkatërruar gjithçka që mund të shkatërrohet.
Nga ana tjetër “Protestoj” sonte protestën e filluan para ndërtesës së ish Komitetit në Kumanovë ku të pranishmëve iu drejtuan Olivera Stojkovska, aktiviste qytetare dhe Dejan Pavlevski, kryetar i Komisionit për vetëqeverisje lokale të LSDM, të cilët edhe njëherë i përsëritën kërkesat e tyre.
Në protestën e sotme në Kumanovë u theksua se deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë në punimet e Kuvendit derisa Gjykata kushtetuese të deklarohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë speciale publike.
Protestuesit u drejtuan kah „Revolucioni popullor“, „Rruga e Leninit“ dhe protestën e përfunduan në mënyrë paqësore para Gjykatës themelore në Kumanovë.
Një numër i madh i qytetarëve të Prilepit po ashtu dolën sonte në përkrahje të “Revolucionit Laraman”. Mysafire në këto protesta ishte nënkryetarja e LSDM, Frosina Tashevska Remenski.
Me këtë rast ata shtruan lule të freskëta në monumentin e Kuzman Josifoski-Pitu./Telegrafi/