Kjo ndeshje njëherësh është edhe derbi i xhiros së gjashtë të ETC Superligës dhe interesimi për të pritet të jetë i madh. Tifozat e kryeqytetit, Plisat, veç kanë filluar mobilizimin e tyre për këtë ndeshje dhe kanë premtuar atmosferë të zjarrtë.
Ekipi bardhekaltër në këtë ndeshje hynë me një formë mjaftë të lartë, ani pse humbi ndeshjen e fundit ndaj Galil Gilboas në Ligën Ballkanike, pasi që ata janë kampionët aktual të kësaj gare. Megjithëkëtë, Sigal Prishtina ka dëshmuar që këtë edicion është në formë të jashtëzakonshme dhe ndoshta ka krijuar një ndër ekipet më të forta në historinë e saj. Kjo gjë edhe i bën favorit prishtinasit në këtë ndeshje.
Rikthimi në formë i Dardan Berishës është një gjë për t’i shqetësuar mitrovicasit, pasi që në ditën e tij të mirë, ai din të jetë i pandalshëm. E në anën tjetër, mos të harrojmë të pandalshmit Kendrick Jones dhe Tay Waller që po e udhëheqin ekipin bardhekaltër në pothuajse çdo ndeshje.
Për sa i përket Trepçës, ata ende nuk e kanë gjetur formën e tyre të dikurshme dhe largimi i Drilon Hajrizit ka lënë zbraztësirë të madhe në këtë skuadër. Mirëpo, me përforcimet e bëra, Trepça ka arritur t’i fitojë dy ndeshje të rëndësishme ndaj RTV 21 dhe KB Bashkimit, e prishtinasit duhen të kenë kujdes vecanërisht ndaj Robert Goff, i cili është një përbindësh i vërtetë në parket. Por, së fundmi është raportuar se amerikanët e Trepçës kanë vendosur t’i bojkotojnë stërvitjet dhe ndeshjet e klubit deri sa t’iu paguhet rroga mujore.
Nëse ata mungojnë në këtë lojë, atëherë Trepça do ta ketë shumë të vështirë të bëjë diçka ndaj Sigal Prishtinës para tifozëve të saj dhe humbja do të jetë e paevitueshme.
Po ju lexues të nderuar çfarë mendoni për këtë përballje? A do të ketë vështirësi Sigal Prishtina për ta mposhtur Trepçën, apo kjo do të jetë vetëm një ndeshje e lehtë për ta?