Dy skuadrat e mëdha të vendit tonë, Sigal Prishtina dhe Peja sonte zhvillojnë sfidat e radhës në FIBA Europe Cup.
Sigal Prishtina është nikoqire e skuadrës turke, Demir Insaat, sfidë kjo që prej orës 18:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në kuadër të javës së katërt të Grupit H në FIBA Europe Cup.
Në ballafaqimin e parë të luajtur javë më parë në Stamboll, Demir Insaat e pati mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat të thellë 100:58.
Bardhekaltrit në tri xhirot e para nuk kanë arritur të shënojnë asnjë fitore në kuadër të Grupit H, andaj edhe kalimi në fazën e dytë të FIBA Europe Cup mbetet mision shumë i vështirë për klubin nga kryeqyteti.
Ndërkaq Peja e pret në palestrën e sportit “Karagaçi” duke filluar nga ora 19:30 ekipin e Cluj-it nga Rumania.
Në duelin e parë të luajtur javë më parë në qytetin e Cluj-it, fitore kanë realizuar rumunët me shifrat 85:76.
“Verdhezinjtë” në tri xhirot e para në Grupin G kanë bilanc prej 2 humbje e 1 fitore dhe ende janë në lojë për të siguruar një vend në fazën e dytë të FIBA Europe Cup. /Telegrafi/