Telegrafi

​Sonte e gjithë Prishtina do të dëgjojë muzikën e Violeta Rexhepagiqit në kujtim të saj

Të enjten është ndarë nga jeta në moshën 55 vje1are gazetarja dhe këngëtarja e mirënjohur, Violeta Rexhepagiqi.

Violeta e cila mbahet mend për një karrierë të bujshme në muzikë dhe gazetari, ishte gjetur mëngjesin e sotëm pa shenja jete në shtëpinë e saj.

Në mungesë të organizimit të një mbledhjeje komemorative shkaku i pandemisë globale COVID-19, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se është zgjedhur një formë e veçantë për të shprehur mirënjohjen për kontributin e saj artistik.

Violeta Rexhepagiqi (Foto: Fahredin Spahija)

Ahmeti përmes një njoftimi në Facebook ka shkruar se i gjithë kryeqyteti sonte do të dëgjojë muzikën e saj nga ora 20:15 deri në orën 20:30.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Sot ka ndërruar jetë një ikonë e Prishtinës, Violeta Rexhepagiq. Si fëmijë e kam njohur e takuar disa herë. Këngët e saj e të Armendit kanë qenë avant-garde. Si gjithmonë, duke shkuar vitet e muzika e saj duke u pëlqyer edhe më shumë.

Sot nuk mund të ja themi lamtumirën që e meritonte edhe me mbledhje komemorative edhe me pjesëmarrje në varrim.

Por mund ta kujtojmë i gjithë qyteti, sepse prej orës 20:15 – 20:30, nga stadiumi i qytetit do të lëshojmë këngë të saj në shenjë respekti për kontributin e saj për kulturën tonë.

Ngushëllime familjes e u preht në paqe!

#rriNshpi”. /Telegrafi/