Telegrafi

Sonte arrin Galaxy S III

Sipas informatave të mëhershme, dihet se evenimenti sipas kohës tonë do të filloj në orën 20 në Earl’s Court Exhibition Center në Londër. Samsung, gjatë një teaser-kampanje të paparë deri më sot paralajmëroi paraqitjen e “galaktikës së radhës”, duke mos përmendur askund se bëhet fjalë për pasuesin e Galaxy S II, bindshëm telefonit më të shitur me Android OS. Por, përmes kanaleve jozyrtare, më së shumti nga përfaqësuesit e operatorëve mobil, të cilët tashmë janë duke e formuar ofertën verore dhe vjeshtore, nuk ishte vështirë të konfirmohen supozimet më se të qarta – do të paraqitet i treti me radhë Galaxy S, smartphonei i cili me superioritet do të tejkaloj të gjithat që kemi parë deri me sot …

Është e pabesueshme se si nga numri i pakufishëm i informatave të cilat kinse kanë “rrjedhur” nga Samsung për evenimentin që mbahet sonte, asnjëra nuk është konfirmuar, verifikuar, e besueshme… Rreth Galaxy S III me siguri të qind për qindtë, thënë të drejtën, nuk dihet asgjë – madje as nëse do të quhet kështu në të vërtetë. Samsung ka bërë një punë të mirë për ti bërë njerëzit nervoz dhe të padurueshëm për këtë pajisje të re, por agonia do të përfundoj sonte. /Telegrafi/