Telegrafi

Sondazhi i ri mes republikanëve në SHBA: Trump thellon epërsinë kundër DeSantis

Një aktakuzë e mundshme nuk është e mirë për shumicën e politikanëve – por Donald Trump nuk është si shumica e politikanëve.

Ish-presidenti, 76 vjeç, ka rritur epërsinë prej 30 për qind ndaj guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis në mesin e votuesve republikanë paraprak në mbarë vendin, sipas një sondazhi të Fox News.

Trump ka mbështetjen e 54 për qind të të anketuarve krahasuar me 24 për qind për DeSantis – dyfishi i diferencës që gëzoi presidenti i 45-të muajin e kaluar, kur ai udhëhoqi me 43 për qind kundrejt 28 për qind sa kishte DeSantis.

Asnjë republikan tjetër nuk ka shënuar shifrat dyshifrore në sondazh. Ish-zëvendëspresidenti, Mike Pence është në vendin e tretë me 6 për qind mbështetje dhe ish-republikanja, Liz Cheney dhe ish-guvernatore e Karolinës së Jugut, Nikki Haley secila kanë marrë nga 3 për qind, raporton nypost.

Ndërsa Trump ka rritur mbështetjen, shumica e votuesve demokratë do të dëshironin ta shihnin partinë e tyre të zgjidhnin një kandidat tjetër për vitin 2024.

Sondazhi zbuloi se 52 për qind e demokratëve duan dikë tjetër në 2024, pak më pak nga 53 për qind që thanë të njëjtën gjë në muajin shkurt.

Vetëm 44 për qind duan që presidenti aktual, Joe Biden të jetë i nominuar, nga 37 për qind muajin e kaluar. /Telegrafi/