Site icon Telegrafi

Sondazhi i RCC nxjerr në pah qëndrimet e vendeve të Ballkanit mbi politikat nacionaliste, integrimin në BE dhe bashkëpunimin rajonal

Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit, përmes Barometrit të Ballkanit ka shpalosur të dhëna të reja sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Besimi në bashkëpunimin rajonal në 2024 është 82%. Besimi në propozimin se bashkëpunimit rajonal mund të kontribuojë në mirëqenien dhe sigurinë e popullit të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë pyetje 89% e qytetarëve të Kosovës janë pro që të ketë bashkëpunim rajonal mes vendeve të Ballkanit për të zhvilluar ekonominë e vendit.

Sa i përket politikave nacionaliste që penojnë më së shumti bashkëpunimin rajonal, qytetarët besojnë se politika nacionaliste në të gjithë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor po pengon bashkëpunimin rajonal, dukshëm më shumë sesa mungesa e besimit për shkak të historisë, paragjykimeve ose ndarjeve etnike.

47% e qytetarëve të vendeve të Ballkanit e mendojnë një gjë të tillë.

Në Kosovë 51% e qytetarëve janë shprehur se politikat nacionaliste e pengojnë bashkëpunimin rajonal.

 

Barometri i Ballkanit gjithashtu ka nxjerrë në pah se 77% e qytetarëve pajtohen se më e rëndësishme është ajo që i sjell më afër qytetarët e Ballkanit Perëndimor, se ajo që i ndanë ata.

Një gjë të tillë e mendojnë edhe 84% e qytetarëve të Kosovës.

Sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian,  shumica e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë në ndikimin pozitiv të integrimit në BE në ekonominë e tyre, por ka disa ndryshime në intensitetin e këtij besimi në të gjithë rajonin.

54% e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor besojnë se anëtarësimi në BE do të ishte një gjë e mirë për ekonominë e tyre, ndërsa 10% mbeten skeptikë në lidhje me perspektivat e ekonomisë së tyre për t’u anëtarësuar në BE.

Ndërkaq, në Kosovë mbështetje integrimit në BE i kanë dhënë 74% e qytetarëve.

Në të njëjtën kohë, qytetarët mbeten me shpresë se integrimi në BE do të ndodhë brenda dekadës së ardhshme, por ka ndryshime të mëdha në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Rreth 20% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor parashikojnë anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, ndërsa 23% presin midis 2030 dhe 2035.

Në Kosovë 33% e qytetarëve shpresojnë që anëtarësimi në BE do të ndodh deri në vitin 2030.

Megjithatë, më pak njerëz (18%) besojnë se ekonomia e tyre nuk do të anëtarësohet kurrë në BE, një rënie prej 10% krahasuar me vitin 2022.

Në Kosovë 3% e qytetarëve janë shprehur se ekonomia e vendit tonë kurrë nuk do të jetë pjesë e tregut evropian.

Anketat e Barometrit Ballkanik të vitit 2024 u kryen midis marsit dhe fillimit të prillit 2024 në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Anketa e Opinionit Publik parashtroi 48 pyetje për 6000 qytetarë dhe Anketa e Opinionit të Biznesit paraqiti 40 pyetje për 1200 pronarë, menaxherë apo drejtues biznesesh. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version