Pyper, si platformë e specializuar për matjen e opinionit publik, në bashkëpunim me emisionin “Debat Plus”, që transmetohet në RTV Dukagjini, ka organizuar sondazhin e radhës.
Në këtë sondazh qytetarët janë pyetur në lidhje me zhvillimet e fundit politike si dhe me ardhjen e vaksinës anti-COVID në Kosovë.
Rreth 40% e të anketuarve mendojnë se Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të jetë i bashkuar me rastin e zgjedhjes së presidentit të ri. 35% mendojnë se LDK do të ketë unitet në këtë proces, ndërsa 25% nuk kanë opinion.
60.5% e qytetarëve të anketuar mendojnë se Kushtetuesja do të vendos në favor të Qeverisë Kurti 2 në lidhje me ankesën e Listës serbe. 12% mendojnë se Gjykata do të vendos pro ankesës së Listës serbe. Ndërsa 27.5% nuk kanë mendim në lidhje me këtë çështje.
Sa i përket procesit të vaksinimit, 42.5% e qytetarëve nuk i japin merita qeverisë aktuale e as asaj paraprake për sjelljen e vaksinave në Kosovë. Rreth 37% mendojnë se Qeveria e tanishme është meritore për ardhjen e kontingjentit të parë të vaksinave në Kosovë. Ndërsa 20.5% mendojnë se qeveria e kaluar e ka meritën për ardhjen e vaksinave të para në Kosovë.
71% e respodëntëve mendojnë se Kosova do të mund ta vaksinojë shumicën e popullatës deri në fund të vitit 2022, ndërsa 29% mendojnë se nuk do të mund të arrihet një vaksinim i tillë në këtë periudhë kohore.