Platforma më e avancuar teknologjike, Pyper, e specializuar për matjen e opinionit publik, në bashkëpunim me emisionin “Debat Plus” që transmetohet në RTV Dukagjini, ka organizuar anketimin e radhës.
Qytetarët përmes këtij anketimi janë pyetur për procesin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
51% e qytetarëve që kanë marrë pjesë në anketim mendojnë se Biden do të fitojë zgjedhjet në SHBA, ndërsa vetëm 16% e tyre mendojnë se zgjedhjet i fiton Trump.
Bidenin do ta preferonin si president 55% e qytetarëve kosovarë të anketuar, ndërsa Trumpin vetëm 9%.
Kosova do të përfitojë më shumë nëse Biden zgjidhet president në SHBA, mendojnë 47% e të anketuarve, ndërsa vetëm 7% e tyre mendojnë se me Trumpin president në SHBA përfiton Kosova.
Nëse Trump zgjidhet president, raportet SHBA-Kosovë do të mbesin të njëjta, mendojnë 42% e qytetarëve të anketuar, derisa 20% mendojnë se raportet do të jenë më të këqija.
64% e qytetarëve të anketuar mendojnë se me presidencën e Bidenit raportet Kosovë-SHBA do të jenë më të mira se tani, derisa vetëm 5% mendojnë se këto raporte do të jenë më të këqija.
Të anketuarit mendojnë se Biden do të kishte raporte më të mira me Kosovën se me Serbinë, derisa të kundërtën e mendojnë nëse Trump rizgjidhet president në SHBA.