Plani i shumëpërfolur i Qeverisë, që ia mundëson qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të fondeve të kursyera në Trustin Pensional të Kosovës – pjesë e Projektligjit të rimëkëmbjes ekonomike, ende nuk është miratuar nga Kuvendi.
Sondazhi i bërë nga emisioni i mëngjesit në RTV Dukagjini ofron një pasqyrë se sa qytetarë të Kosovës do t’i tërhiqnin këto fonde, nëse do t’iu ofrohej kjo mundësi.
Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike që do të mundësonte tërheqjen e 10 % nga Trusti Pensional ka kaluar leximin e parë më 12 tetor të këtij viti, në tentativën e shtatë, ndërsa seanca e Kuvendit të Kosovës për lexim të dytë të këtij projektligji ka dështuar që dy herë në mungesë të kuorumit.
Në emisionin e mëngjesit në RTV Dukagjini qytetarët janë pyetur në sondazhin e rregullt në Facebook, me fjalët “A do ta tërhiqni 10 përqindëshin nga Trusti?”.
Pas 494 votave të qytetarëve, doli që 51 për qind prej tyre do t’i tërhiqnin, kurse 49 për qind – jo.
Qeveria e Kosovës në njërën nga nëntë masat e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike ka paraparë që të përdoret një përqindje e mjeteve financiare të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale (Trust), me qëllim të rritjes së shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte të shumëfishta në ekonomi.