Shumica e amerikanëve dëshirojnë që përmes lajmeve mediat të shpërfaqin faktet, pa interpretime shtesë, thotë sondazhi i realizuar nga Pew Research Center, i realizuar në kohën e debatit të madh për rolin e mediave në monitorimin e fushatës së pazakontë presidenciale të Donald Trumpit.
Gazetarët po përballen me pyetjen se sa duhet të udhëhiqen lexuesit për të kuptuar lajmin. Kjo çështje ka rëndësi sidomos pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, gjatë të cilave mediat janë marrë me deklarata të rreme të kandidatit republikan Donald Trump, në fushatën kundër demokrates Hillary Clinton.
95 për qind e amerikanëve të rritur kundërshtojnë idenë e interpretimeve shtesë, duke thënë se mediat duhet të paraqesin vetëm faktet. Katër nga dhjetë të anketuarit mbështesin interpretim të kufizuar të fakteve, transmeton Telegrafi.
“Edhe pse publiku dëshiron që mediat të japin vetëm fakte, ndoshta ata nuk mund të pajtohen as se cilat janë ato”, raporton Pew.
Rreth 81 për qind e zgjedhësve të regjistruar kanë thënë se shumica e mbështetësve të Clintonit dhe Trumpit nuk kanë mundur të pajtohen jo vetëm në lidhje me planet dhe politikat, por as për faktet themelore.
Zgjedhësit që kanë mbështetur Trumpin favorizojnë qasjen “vetëm faktet” në raportin 71 kundrejt 29 për qind. Ata që mbështetën Clintonin janë të ndarë në gjysmë.
Anketa tregoi po ashtu një mbështetje të fuqishme për verifikimin e të dhënave nga ana e mediave. Gjatë fushatës është regjistruar një numër i madh i faqeve me lajme të rreme dhe me artikuj në rrjetet sociale që kanë konkurruar me ato të mediave tradicionale.
Rreth 81 për qind e atyre që preferojnë fakte pa interpretime besojnë se verifikimi i informacionit është pak a shumë detyrë e mediave. Në mesin e atyre që duan interpretime, 83 për qind e tyre thonë se verifikimi i informacionit është përgjegjësi.
Anketa është kryer me 4,132 të intervistuar mes 27 shtatorit dhe 10 tetorit të këtij viti, ndërsa kufiri i gabimit është 2.8 për qind. /Telegrafi/