Pasi u njoftua se episodet e reja të Teletubbies do të ishin të disponueshme në Netflix, shumë fansa të filmit të popullarizuar vizatimor u shfaqën në mediat sociale për të thënë se ishin “shumë të emocionuar”.
Shumë prej tyre e kanë pranuar se Teletubbies u sjellin kujtime të fëmijërisë dhe se me kënaqësi do t’i shikojnë episodet e reja.
Njëri nga skenaristët e versionit origjinal, Andrew Davenport, ka punuar në aventurat e reja të Tinky Winky, Dipsy, Laa-Laa dhe Po.
Netflix njoftoi se narrator do të jetë aktori dhe këngëtari Tituss Burgess, ndërsa zërin për karakteret Teletubbies do ta huazojnë Jeremiah Krage (Tinky Winky), Nick Kellington (Dipsy), Rebecca Hyland (Laa-Laa) dhe Rachelle Beinart (Po).
Njëherësh, nga Netflix kanë bërë të ditur se Teletubbies do të përjetojnë aventura të ndryshme edukative, si dhe kanë paralajmëruar edhe Tummy Tales, këngë me të cilat “e gjithë familja do të kërcejë”.
Ata kanë publikuar edhe një trailer që i ka gëzuar shumë shikues. Megjithatë, ka edhe nga ata që besojnë se nuk ka pasur nevojë për vazhdime të reja të filmave vizatimorë.
A jeni ju ndër ata që presin me padurim rikthimin e Teletubbies apo keni preferuar ndonjë film tjetër vizatimor në fëmijërinë tuaj? Na tregoni në sondazhin e mëposhtëm. /Telegrafi/