Site icon Telegrafi

Somalezët shikojnë filmin e parë të shfaqur në kinema në 30 vitet e fundit

Në Somali, për herë të parë në 30 vjet, një film u shfaq publikisht në kinema, domethënë në Teatrin Kombëtar, dhe që zgjoi shpresën për ringjalljen kulturore të këtij vendi të shkatërruar nga lufta.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dy filma të shkurtër të regjisorit somalez Ibrahim CM u shfaqën në Teatrin Kombëtar në Mogadishu, ku siguria e fortë ishte e pranishme.

Teatri ishte më parë shënjestër e kamikazëve, si dhe baza e udhëheqësve ushtarakë.

Drejtori i teatrit Adbikadir Abdi Yusuf tha se ishte një “natë historike për njerëzit e Somalisë”.

“Kjo tregon se shpresa është ringjallur, pas kaq shumë vitesh sfidash. Kjo është një platformë që ofron një mundësi për kompozitorët, skenaristët, regjisorët dhe aktorët që të tregojnë hapur talentin e tyre”, shtoi ai.

Biletat kushtojnë 10 dollarë dhe vizitorët ishin në gjendje të shikonin dy filma, “Hoos” dhe “Date from Hell”.

Para se të hynin në Teatrin Kombëtar, ata duhej të hynin në zonën e gjelbër të ruajtur rreptësisht, ku ndodhet pallati presidencial dhe parlamenti.

Teatri Kombëtar u ndërtua nga kinezët në vitin 1967 si një dhuratë nga udhëheqësi kinez Mao Ce Dun, dhe ishte me rëndësi të madhe për zhvillimin kulturor të Somalisë në vitet 1970 dhe 1980.

Ai u mbyll në vitin 1991 në fillim të luftës civile dhe u përdor si bazë ushtarake gjatë betejave për kryeqytetin.

Për shkak të kësaj, ishte në gjendje të keqe, dhe në vitin 2012 u hap pas rinovimit.

Megjithatë, militantët e al-Shabab e “shpërthyen” menjëherë sepse ata menduan se argëtimi i drejtpërdrejtë dhe shikimi i filmave ishte imoral.

Por, për fat të mirë për somalezët, teatri është përsëri në përdorim. /Telegrafi/

Exit mobile version