Ole Gunnar Solskjaer e ka pranuar që Manchester Unitedi e kishte të vështirë kundër “një klubi fantastik dhe një ekipi shumë të mirë” si Milani, por Paul Pogba bëri ndryshimin.
Unitedi fitoi me rezultat minimal 1-0 në udhëtim te Milani në ndeshjen kthyese të 1/8-tës së Ligës së Evropës, duke u kualifikuar tutje në çerekfinale pasi ndeshja e parë u mbyll 1-1.
Ky kualifikim erdhi pas një loje të barabartë edhe në ndeshjen e dytë, por ishte Pogba që erdhi nga bankina dhe brenda tre minutash shënoi nga afërsia golin që doli të ishte i fitores dhe kualifikimit.
“Jam shumë i lumtur sigurisht. Ne kemi kaluar një short shumë të vështirë kundër një klubi fantastik dhe kemi kapërcyer disa vështirësi”, ka thënë fillimisht Solskjaer për BT Sport pas ndeshjes.
Respect 🤜🤛#UEL pic.twitter.com/4JRgghpomV
— UEFA Europa League (@EuropaLeague) March 18, 2021
“Ju i jepni vetes një shans për të fituar një lojë futbolli kur mbani portën e paprekur. Dean Henderson bëri një pritje fantastike drejt fundit dhe unë jam shumë i kënaqur me mbrojtjen e të gjithëve”.
“Ne e dimë se gjashtëshja mbrapa, mbrojtja me të tjerët si Scott McTominay dhe Fred, gjithmonë japin gjithçka”.
United! 👊#MUFC #UEL pic.twitter.com/HT45G11d9F
— Manchester United (@ManUtd) March 19, 2021
“Na ka marrë malli për Paul-in. Ai ka qenë për jashtë gati dy muaj dhe çdo skuadre do t’i mungonte një lojtar si Paul Pogba. Ai është shumë i rëndësishëm për ne dhe do të na japë një hov të madh. Ai na bën një ndryshim shumë, shumë të madh”.
Me këtë kualifikim, Djajtë e Kuq janë në çerekfinalen të Ligës së Evropës së bashku me Romën, Dinamo Zagreb, Arsenalin, Slavia Pragën, Ajaxin, Granadan dhe Villarrealin.
“Kanë mbetur shumë ekipe të mira, por ju duhet të jeni në skuadër. Është një garë kupash dhe gjithçka mund të ndodhë. Por ne kemi kaluar dhe ndihemi të sigurt”, përfundoi trajneri i Unitedit. /Telegrafi/