Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, do të ketë punë të vështirë gjatë së martës.
Norvegjezit i duhet që ta përgatisë maksimalisht skuadrën e tij për ndeshjen kundër Barcelonës, e cila do të jetë e vlefshme për raundin e dytë të fazës çerekfinale në Ligën e Kampionëve.
Përveç përgatitjeve taktike, trajneri i Djajve të Kuq e di se një rol të madh luan edhe motivimi i lojtarëve.
Megjithatë, Solskjaer ka thënë se skuadra nuk mund të kthehet në kohë dhe të shohë vitin 1999 për tu inspiruar, pasi sipas tij, ajo ishte diçka ndryshe.
“Jo, nuk do t’iu them asgjë rreth saj, pasi ajo ishte kundër Bayern Munchen. Ishte finale dhe ishte ndryshe”, ka thënë fillimisht Solskjaer.
“Ne do të përdorim ndeshjen kundër PSG-së dhe atë kundër Juventusit. Ne kemi mposhtur disa nga skuadrat më të mira jashtë shtëpisë dhe kemi luajtur kundër lojtarëve të mëdhenj. Ajo që kemi bërë kundër Paris Saint Germain duhet të na japë vetëbesim, sepse eksperienca ishte e jashtëzakonshme”, deklaron Solskjaer. /KP/