Portieri i Manchester United, Sergio Romero duket se ka përcaktuar të ardhmen e tij, duke vënë në shitje vilën e tij në vlerë prej katër milionë euro.
Me Dean Henderson që po shkëlqen në këtë edicion te Djajtë e Kuq, portieri tashmë ka kaluar si i treti në listën e gardianëve te skuadra angleze.
Portieri argjentinas e kërkoi largimin edhe në verën e kaluar, por disi Ole Gunnar Solskjaer arriti ta bind atë që të qëndrojë edhe më tej në Old Trafford.
Mirëpo, Romero që është në listën e 25 lojtarëve në Ligën Premier, me gjasë do të largohet në afatin kalimtar të kësaj vere.
Mësohet se 34-vjeçari e ka vënë në shitje shtëpinë e tij në Cheshire për katër milionë euro, derisa me qira në muaj shkon në 25 mijë euro.
Portieri i dëshpëruar duhet të largohet nga vila e tij luksoze, duke kërkuar një aventurë, ndoshta edhe jashtë Ligës Premier.
Edhe pse Solskjaer është i kënaqur me punën e tij në stërvitje, shanset e tij për të luajtur rregullisht janë tejet të vogla, pasi aty është edhe David de Gea. /Telegrafi/