Site icon Telegrafi

Solomon: EULEX nuk mori pjesë në aksionin për arrestimin e Gjuriqit

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, ka thënë se nuk ka qenë pjesëmarrës në veprimin e të hënës ku u bë arrestimi i Marko Gjuriqit.

Siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, një deklaratë e tillë është dhënë nga shefja e Zyrës për Media dhe Informim Publik të EULEX-it, Dragana Nikolic Solomon.

Një përgjigje të tillë, siç thuhet më tej, Solomon i ka dhënë agjencisë Tanjug duke iu përgjigjur pyetjes nëse veprimi i arrestimit të Marko Gjuriqit ishte një veprim i përbashkët i policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Madje, siç raporton më tej ky medium, në terren, bashkë me automjetet e policisë së Kosovës, kishte edhe automjete të misionit të BE-së.

Ndryshe, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq është arrestuar dje në veri të Mitrovicës nga forcat speciale të Policisë së Kosovës.

Një veprim i tillë i forcave të policisë kishte ardhur pasi që Gjuriq ishte futur në territorin e Kosovës, pa marrë leje paraprakisht.

Gjuriq u arrestua dje në një takim në veri të Mitrovicë më pas ai u transferua në Prishtinë, ku u mor në pyetje dhe pastaj u dëbua në Serbi. /Telegrafi/

Exit mobile version