Vet fakti se trajneri Bylbyl Sokoli ka vendosur ta vazhdojë qëndrimin këtu deri në fund të edicionit, është shumë domethënës për këtë skuadër. “ Parimisht jemi pajtuar dhe me gjasë sot apo nesër do ta nënshkruaj kontratën dhe do të mbetem pjesë e Ferizajt deri në fund të kampionatit”, tha Bylbyl Sokoli, i cili dje nuk ishte i pranishëm në stërvitje, por këtë do ta bëj sot apo nesër. Sokoli e ka të qartë se pranvera do të jetë e vështirë, andaj nuk shprehet shumë optimist, pasi skuadra ka mbetur edhe pa dy sulmuesit më efikas të Superligës.
“ Nuk mund të them se jam optimist i madh, pasi jemi të fundit që i kemi nisur përgatitjet, ndërkohë që skuadra ka mbetur pa Astrit Fazliun e Shkumbin Salihun, shënuesit më efikas jo vetëm të Ferizajt. Jemi afër angazhimit të Genc Hysenit, por nuk e di se sa mund të jetë zëvendësues i denjë pasi një kohë nuk ka luajtur dhe nuk e di sa është i gatshëm”, shprehet Sokoli i cili ka bindjen se mesfushori Qëndrim Dautaj do të mbetet në Ferizaj. “Kam biseduar me Dautajn dhe kam përshtypjen se do të mbetet në skuadrën tonë, ndonëse unë nuk insistojë që ai të ndalet me çdo kusht”, tha Bylbyl Sokoli.
Ferizaj është në pozitën e dytë dhe nuk ka dyshim se do të mundohet ta tejkaloi Llamkos Kosovën, madje që në përfundim të fazë së dytë të garave në Superligë. “ Është e vërtetë se ne kemi orari të favorshëm për dallim nga vushtrriasit, por nuk mund të them asgjë më shumë. Për ne është me rëndësi të konsolidohet skuadra e më pas të shohim se çka mund të bëjmë”, thotë kryetrajneri i Ferizajt.
Përveç garave në Superligën e Kosovës, skuadra e Ferizajt mëton të arrijë lartë edhe në garat e Kupës së Kosovës. Siç dihet në dy vjetët e kaluara, kjo skuadër luajti në finale, por që nuk kishte fat të stoliset me trofeun e çmueshëm. Se a do të jetë e treta e vërteta mbetet të shihet në garat pranverore. /Zëri/Telegrafi/