Kryetrajneri i ri i Prishtinës, Bylbyl Sokoli, nuk ka dashur që shumë të thellohet në pyetjet e gazetarëve të cilët u treguan megjithatë insistues, sepse klubi do të organizoj konferencë të posaçme me rastin e zyrtarizimit të kontratës pas kthimit të kryetarit të klubit nga udhëtimi, Remzi Ejupi.
“Në parim jam marr vesh me udhëheqjen e klubit, pres të vije nga Gjermania presidenti i klubit, Remzi Ejupi dhe do të zyrtarizojmë marrëveshjen tonë”, tha Sokoli.
“Nuk kam pasur ëndërr të punoj në asnjë klub, por ky është profesioni im dhe kam ardhur në Prishtinë që të punoj dhe të kryej detyrën siç e kam kryer në shumë klube tjera. Kam punuar në klube të mëdha dhe të vogla, por që të gjitha për mua kanë qenë të njëjta, ndërsa sa kam pasur sukses tregojnë rezultatet e mia”.
“Edhe “Plisave”, edhe simpatizuesve, futbolldashësve, udhëheqjes së klubit, gazetarëve dhe të gjithë tjerëve ju premtoj se do të bëjmë punë të palodhshme dhe normalisht, brenda mundësive, do të bëj punën siç e kam bërë në shumë klube, ashtu siç është më së miri”, tha ai.
Me kuadrin e futbollistëve ka thënë se do të vendoset më vonë pas bisedimeve me krerët e klubit.
“Skuadra ka fond të mjaftueshëm të futbollistëve dhe për ardhje të futbollistëve tjerë do të ketë vend të limituar dhe do të mund të angazhohen vetëm ata që dallohen si supertalentë që kanë perspektivë dhe vijnë nga skuadrat e vendit”, tha shefi i shtabit teknik të prishtinasve, Bylbyl Sokoli. /Sporti1/Telegrafi/