Site icon Telegrafi

Sokoli: Nga fillimi i kërkuam penalltitë, më vije keq pasi Kosova ka nevojë për Vëllaznimin në Superligë

Ferizaj ka arritur të rikthehet në elitën e futbollit kosovar vetëm pas një viti qëndrim në Ligën e Parë.

Skuadra bardh e kaltër triumfoi në barazh ndaj Vëllaznimit pas ekzekutimit të penalltive 3-2.

Trajneri i Ferizajt, Bylbyl Sokoli tha se skuadra e tij kërkoi nga fillimi penalltitë.

“Duhet të pranojmë që Vëllaznimi ishte ekip më cilësor dhe ne kemi zgjedhur mënyrën e lojës që ta dërgojmë ndeshjen në penallti. E kemi neutralizuar forcën e Vëllaznimit, derisa shansin tonë menduam ta kërkojmë në penallti”.

Tutje trajneri i mirënjohur tha se i vije keq për rënien e Vëllaznimit pasi Kosova ka nevojë që klubi gjakovar të jetë në Superligë.

“Me meritë e fituam këtë takim. Më vjen keq, Kosova ka nevojë për Vëllaznimin në Superligë, kurse Ferizajt i duhet shumë organizim që të luajë në Superligë”, deklaroi Sokoli.

Sokoli tregoi se si ka arritur t’i motivojë futbollistët e tij para kësaj sfide të rëndësishme.

“E imja ka qenë t’i përkujtoj lojtarët se presioni është te Vëllaznimi sepse ata e humbin Superligën e ne nuk kemi çfarë të humbim. Gjatë lojës ne kishim më shumë raste konkrete për shënim, bile jam i sigurt se ajo penalltia ka ekzistuar”.

Krejt në fund ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare tha se nëse nuk do të ketë ndryshime në klub nuk do të vazhdoj.

“Ferizaj me meritë është në Superligë, por duhet shumë angazhim. Me këtë organizim nuk besoj se do të jem në Ferizaj. Nëse organizohet klubi, pse jo, sepse Ferizaj e do futbollin, e ka të zhvilluar ekonominë dhe mund të ketë donatorë që të jetë anëtar i fuqishëm i Suprligës. Përndryshe me këtë organizim do të jetë shumë vështirë”, përfundoi Sokoli. /Telegrafi/

Exit mobile version