Site icon Telegrafi

Sokoli jep dorëheqje

‘Dashurisë’ në mes të Bylbyl Sokolit dhe Ferizajt siç duket i ka ardhur fundi. Trajneri i njohur kosovar ka dhënë dorëheqje të enjten. Arsyet e dorëheqjes së Sokolit janë pakënaqësitë e shumta në skuadër, bojkotet e vazhdueshme dhe mospagesa e tij nga muaji janar.

“Kam dhënë dorëheqje. Arsyet e dorëheqjes janë se në kohët e fundit jam ballafaquar me shumë pakënaqësi. Më shumë janë bojkotuar stërvitjet nga futbollistët sesa kemi ushtruar. E dyta, klubi s’ka kryer asnjë obligim material ndaj meje që nga janari”, tha fillimisht për ‘Sport Plus’, trajneri Bylbyl Sokoli.

Ai nuk lë pa falënderuar të gjithë ata që ja bënë më të lehtë qëndrimin në këtë qytet që kishte filluar të frymonte me futboll. “Falënderoj futbollistët, bashkëpunëtorët e shtabit teknik, kryesinë e mëhershme, kryesinë e re, sidomos e falënderoj menaxherin Nadir Haxhimusa dhe sekretarin Ilaz Mjaku, me të cilët kemi pasur bashkëpunim perfekt gjatë kësaj kohe”, nënvizoi trajneri Sokoli.

Ai shtoi se skuadra ka pasur sukses gjatë drejtimit të tij. “Gjithsesi, përgjatë kohës në Ferizaj kemi pasur suksese dhe ekipi aktualisht është në pozitë të mirë në renditje, derisa përpjekjet e mia kanë qenë që klubi të jetë në nivel, por ka qenë shumë vështirë”, përfundoi Sokoli, i cili kishte arritur ta rikthente Ferizajn në Superligë me vendin e parë, ndërsa në atë sezon ishin edhe në finale të Kupës. /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version