“Bardhekaltrit” dje në ‘Shahin Haxhiislami’ mundën Besën me rezultat 2-1, në kryendeshjen e xhiros së dytë të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll.
Tekniku i kryeqytetasve, tha se akoma lojtarët e tij nuk po i përshtaten mënyrës së lojës të cilën duan të kultivojnë. Sokoli mendon se skuadra e tij tregoi karakter duke e përmbysur rezultatin e pejanëve.
“Ndeshje shumë e vështirë për Prishtinën. Mendoj se djelmoshat tanë nuk po i përshtaten mënyrës së lojës të cilën ne po e kultivojmë, por si do që të jetë, mendoj se treguan karakter dhe rikthyem rezultatin. E mira është edhe që pas disavantazhit 1-0, ne e rikthyem rezultatin dhe kjo është një e mirë shumë e rëndësishme për ne dhe unë po shpresoj se lojëra më të mira do ta presin Prishtinën”, ka thënë Sokoli për faqen zyrtare të klubit prishtinas.
“Besa luajti shumë mirë, por po them se ne e fituam ndeshjen me sajë të angazhimit të futbollistëve të cilët janë më të merituarit për këtë fitore. Unë në çdo ndeshje pres fitore, por kjo ishte më e vështirë se që e kemi parashikuar”, tha ai.
Sokoi shpreson se Prishtina do të vazhdojë serinë e fitoreve edhe në ndeshjet e ardhshme. /KP/Telegrafi/