Ferizaj në këtë sezon të garave është rikthyer në mesin e skuadrave elitare të vendit tonë. Finalisti i Kupës në sezonin e kaluar, rikthimin në Superligë e ka nisur me një disfate kundër Prishtinës dhe një fitore ndaj Hysit.
“Timonieri” i kësaj skuadre i tha KosovaPressit, se skuadra e tij është e varfër me lojtar. Ai thotë se një skuadër që synon titullin e kampionit duhet ta ketë edhe bankinën e fortë.
“Ne nuk mund të luftojmë për titull, sepse një skuadër që synon kreun e tabelës duhet ta ketë të fortë edhe bankinën, e neve kjo na mungon. Largimi i Lorik Maxhunit, i cili shkoi në Shqipëri, ka lënë zbrazëtirë në ekipin tonë. Ambiciet tona janë që të shfaqim lojëra të bukura dhe ta sigurojmë ekzistencën në Superligë”, ka thënë Sokoli.
Ish-trajneri i disa skuadrave të vendit tonë, ka folur edhe për skuadrat që mund të luftojnë për titull të kampionit. Sipas Sokolit, janë katër skuadra që mund ta ndjekin garën për kreun e tabelës.
“Trepça ’89, Prishtina, Llamkos Kosova, por edhe Besa mendoj se do të jenë skuadrat që mund të luftojnë për titull të kampionit”, tha Sokoli.
Ai shpreson se skuadra e tij do të vazhdojë më formën e mirë sikurse në duel me Hysin. /Kosovapress/Telegrafi/