Të zgjedhurit e Ramiz Krasniqit me angazhim maksimal arritën që nga udhëtimi i vështirë të kthehen të pamposhtur, duke përmirësuar kështu imazhin jo të mirë nga ndeshja e kaluar kundër Fushë Kosovës.
“E nënçmuam kundërshtarin dhe kjo na kushtoi shumë. Kemi fituar dy ndeshje jashtë, por në takimin kundër Ferronikelit nuk treguam vetëbesim. Ekipit që pretendon kreun e tabelës nuk i lejohet barazimi në këtë mënyrë. Mirëpo, barazimi është i mirë për ndeshjet e ardhshme që të mos i nënçmojmë ekipet tjera", tha trajneri i Ferizajt, Bylbyl Sokoli, për gazetën Zëri.
Në këtë ballafaqim munguan golat, por kishte disa raste nga ana e Ferizajt, veçmas ato të Astrit Fazliut në minutën 57’ e Samir Sahiti në çastet e fundit të ndeshjes, kur nuk shënoi nga 5-6 metra.
Rast të mirë pati edhe skuadra e Ferronikelit nëpërmjet Fatih Karahodës në minutën 35’, por gjuajtja e tij nga afërsia u prit nga portieri i Ferizajt. /Telegrafi/