Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, muaj më parë ishte sulmuar fizikisht në hyrje të objektit ku jeton.
Policia e Kosovës njofton se në Gjermani është arrestuar i dyshuari për këtë sulm.
Zogaj ka thënë se është njoftuar për arrestimin e të dyshuarit por theksoi se nuk e njeh sulmuesin.
“Jo, unë kurrë s’e kam parë atë njeri që më ka sulmuar. Ndoshta ai më ka njohur mua, ka marrë pjesë në takime apo ku e di se si, por unë mund të ju them se personin që më ka sulmuar nuk e njoh dhe asnjëherë s’e kam parë”, tha ai, për Kallxo.com.
Sokol Zogaj shtoi se ka besuar në organet e drejtësisë dhe sigurisë që do ta marrin rastin me seriozitet.
“Unë kam besuar në polici, gjyqësor, prokurori dhe po shihen të arriturat”, shtoi ai.
Sot u raportuar për arrestimin e të dyshuarit në Gjermani.
Zogaj ishte sulmuar në hyrje të banesës së tij në Prishtinë më 16 gusht të këtij viti.
Nga sulmi ai kishte marrë lëndime trupore.