Site icon Telegrafi

Sokol Zogaj: Naser Makolli ka marrë tretmanin e duhur mjekësor

Gjatë ditës së sotme janë ngritur dyshime në lidhje me shëndetin e tashmë të ndjerit, Naser Makolli, veçanërisht nga KMDLNJ, me ç’rast është thënë që i njëjti nuk ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Në lidhje me këtë ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, ka thënë që gjendja shëndetësore e të ndjerit ishte në rregull, mirëpo është përkeqësuar kohëve të fundit, dhe se i është dhënë ndihma e parë dhe nuk është shkelur asnjë procedure.

“Dje më informuan nga Lipjani se një i paraburgosur ka shkuar nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan ne gjendje të rëndë shëndetësore, por me shenja jete. Aty është konstatuar se i njëjti është i vdekur dhe është pritur që të vijë prokurori dhe forenzika që të bëjë autopsinë e tij. Sipas informacioneve, gjendja shëndetësore ka qenë e mirë, por si duket kohët e fundit është përkequësar gjendja e tij shëndetësore”, tha Zogaj.

“Sipas informacioneve që kam, i ndjeri ka qenë disa herë në QKUK dhe ka bërë disa analiza, që sipas mjekëve ka pasur problem me lukth dhe me zorrë. Ka marrë medikamentet e duhura, por duket se kjo nuk ka ndihmuar. I paraburgosuri ka bërë rëntgen dhe analiza, sepse sipas mjekëve të QKUK-së nuk ka pasur nevojë të qëndrojë i shtruar në spital. I është dhënë ndihma e parë, nuk është shkelur asnjë procedure. Trajtimi ka qenë i njëjtë si te të gjithë të paraburgosurit e tjerë, nuk ka dalluar asgjë nga të paraburgosurit e tjerë. Nuk ka shanse që të rrezikohet siguria e të paraburgosurve”, ka thënë Zogaj në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës.

Tutje Zogaj ka komentuar në lidhje me transferimin e Makollit në burgun e Lipjanit, që sipas tij është realizuar me kërkesën e të ndjerit për shkaqe humanitare.

“Në dhomën e të ndjerit Dehari kanë qenë edhe dy të tjerë pos Makollit dhe kanë pasur relacione shumë të mira. Makolli më pas ka kërkuar që të transferohet në Lipjan, për shkak të rrethanave familjare dhe largësisë së familjes. Unë kam marrë një kërkesë që tani i ndjeri ka kërkuar transferim në Lipjan për shkaqe humanitare. Unë kam lëshuar edhe vendimin në bazë të kësaj, që të jetë më afër familjes. Për mua ka qenë në suaza ligjore dhe krejtësisht e arsyeshme”, ka thënë Zogaj. /Klan Kosova/

Exit mobile version