Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva ka deklaruar se Qeveria e Kosovës me vendimin e fundit për lehtësimin e masave, po përdoren standarde të dyfishta, pasi në një ambient lejohet puna, por jo edhe në sallat e dasmave. Për dasmat, Sogojeva thotë se do të nisin negociatat me Ministrinë e Shëndetësisë që nga java e ardhshme, gjë që beson se do t’ia arrijnë që sallat të hapen në qershor.
Sogojeva tha se kërkesat e tyre kanë qenë zgjatja e orarit dhe lirimi i punës për sallat e dasmave, pra mbajtja e dasmave. Për këtë të fundit thotë se nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
“Ne nuk jemi pajtuar me atë vendimin që ka qenë… Kërkesat kanë qenë zgjatja e orarit, do të thotë sa më shumë me u zgjat orari sepse nëse kishim me pas ndonjë orar tjetër ndaj këtij që është marrë nuk do të pajtoheshim dhe meqenëse në kuadër të odës e kemi departamentin e sallave të dasmave, unë e kam bërë kërkesën që një formë nëse po lirohen këto, hajde të shqyrtojmë mundësinë që të lirojmë edhe sallat e dasmave dhe në këtë periudhë nuk kanë qenë në rend të ditës, dhe premtimet janë që tash e tutje do të bisedohet vetëm për salla”, tha Sogojeva për KP.
Nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit është vendosur që të insistohet në lejimin e dasmave, pasi që Sogojeva thotë se ky vendim është një standard i dyfishtë.
Ai shton se deri në qershor beson se do t’ia dalin të hapin sallat e dasmave, ku shtoi se nga kjo jave do të negociojnë me Ministrin për sallat e dasmave.
“Në kryesi është vendos që ne do të insistojmë që të hap sallat e dasmave për arsyeje që ndonjëherë nuk ka logjik kur në një ambient me këto masa mos me iu përmbajt ambientit tjetër me këto masa, njëfarë standardi i dyfishtë… e kemi edhe një periudhë një mujorshe e më tepër deri të qershori. Besoj që do t’ia dalim që t’i hapim sallat… Nuk ka datë konkrete, po ne prej kësaj jave jemi në negociata prapë me Ministrinë për sallat e dasmave që të gjejmë atë mesin ose të gjejmë atë më të mirën për me zgjedh atë problem”, tha ai.
Megjithatë thekson se kësaj here janë konsultuar së bashku me subjektet e hotelerisë që ai përfaqëson dhe me ministrinë, ku edhe kanë rënë në dakord për vendimet e fundit të Qeverisë.
“Ne gjithmonë e kemi thënë që mirë është që para çdo vendimi me u konsultu e kësaj here ka ndodh kjo, jemi konsultu bashkë me përfaqësuesit e subjekteve hoteliere tjera që përfaqësojmë dhe ministri, kështu që kemi ardhur në dakordim me këtë vendimin e fundit i cili ndoshta plotësisht nuk është i kënaqshëm por nëse e krahasojmë edhe me rajonin, do të thotë mund të themi që është vendim i mirë”, tha ai
Vendimi i ri për hotelerinë në masat e reja anti COVID-19, thotë se shërbimi lejohet vetëm në dhoma i pijeve dhe ushqimeve në hotele dhe akomodime të ngjashme, si dhe pavarësisht numrit të personave mbajtja e dasmave ndalohet. /kp/