Në një analizë të re, me titull ‘ Sofja, Shkupi dhe emri’, kushtuar zhvillimeve të reja politike në Maqedoni dhe lëvizjeve gjeo-strategjike që bën Qeveria e re e Shkupit, gazeta greke ‘Kathimerini’ shkruan se si çdo vit të kaluar, sa afrohet vjeshta fillojnë të qarkullojnë informata të reja në lidhje me emrin e Shkupit.
Sipas gazetës greke, deri më tani nuk janë ndërmarrë hapa thelbësor dhe vetëm janë përsëritur qëndrimet e fuqishme të Shkupit dhe Athinës, duke rikujtuar se të dy anët negociatore veçmë kanë bërë lëshime gjatë bisedimeve të deritanishme.
‘Tash, për herë të parë në vitet e fundit, kemi të dhëna të reja të cilat, në rrethana të caktuara, mund të jenë rihapës të procesit, por jo para zgjedhjeve lokale në tetor’, shkruan ‘Kathimerini’.
Në analizë rikujtohet edhe shërbimi që ka ofruar ish kryeministri Gruevski duke mbajtur qëndrim të një histerie nacionaliste dhe i ka ofruar anës greke argument për të bllokuar perspektivën euro-atlantike të Shkupit, duke shtuar se Qeveria paraprake ka ‘shpëndarë helm antigrek tek opinioni publik’.
Si veprim shumë i dobishëm dhe përforcues i pozitës së Maqedonisë në negociata përmendet Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë që u nënshkrua kohë më parë, të cilën ‘Kathimerini’ e vlerëson si një marrëveshje aleance me Bullgarinë, mendim të cilin e mbështet me deklaratën e Ministres për punë të jashtme të Bullgarisë, Zaharieva, në të cilën tha se Bullgaria nuk pajtohet që emri i IRJM-së të përmbajë përcaktues gjeografik, siç janë Maqedonia Veriore ose E Sipërme sepse kjo, sipas tyre mund të fshehë aspirata për ‘Maqedoni të Pirinit’, pjesën e Maqedonisë së vjetër që i ka takuar Bullgarisë.
Këtë strategji ‘Kathimerini’ e konsideron një aleancë për front të Sofjes dhe Shkupit kundër ‘vijës së kuqe’ të Athinës për një emër me përcaktues gjeografik për përdorim të përgjithshëm – erga omnes, dhe si komplikues shtesë të situatës përmend qëndrimin kategorik të partnerit qeveritar të Syriza-s, Kammenos, që emri të mos përmbajë fjalën Maqedoni ose ndonjë derivat të tij./Telegrafi/