Telegrafi

Socializimi i personave me aftësi të veçanta me personazhe publike

Në Prishtinë  për të tretin vit më radhë po mbahet projekti “TI BARABARTË UNË”. Qëllimi është socializimi me personat me aftësi të kufizuara.

Yllka Berisha, është shumë e lumtur që mori pjesë në projektin “Ti barabartë unë”, përmes së cilit u takua me këngëtarin e  saj të preferuar. Sipas saj,   këto projekte ndihmojnë që të  promovohen vlerat e personave me aftësi te veçanta dhe kërkon të mbahen sa më shumë ngjarje të tilla.

“Është projekt shumë i mirë, megjithatë, duhet të jetë në kontinuitet dhe ky sllogan duhet të vlejë për tërë vitin, pasi viti ka 365 ditë”, shprehet për RTV Dukagjinin Yllka Berisha.

Edhe Arian Hoxha, i cili vijon mësimet në shkollën teknike,   i është bashkangjitur kësaj dite për t’u ndjerë i barabartë me gjithë të tjerët.

“Kam dalë sot pasi është dita e personave me nevoja të veçanta. Unë ndihem i barabartë me personat tjerë dhe më trajtojnë si të barabartë”, thotë Arian Hoxha.

Ndërsa, organizatori i projektit, Shemsedin Sajhadi, shprehet se kanë zgjedhur pikërisht këtë ditë që të kalojën më shumë kohë  me personat me nevoja të vecanta.

Përmes këtij videoklipi personazhet e njohura publike japin mesazhe përkrahëse për këtë kategori të shoqërisë.

“Videoklipi është publikuar në Youtube, ku të gjitha përfitimet nga klikimet do t’u dhurohen personave me nevoja të veçanta. Videoklipi përmban mesazhe përkrahëse për këtë kategori shoqërore. Janë dhjetë artistë që kanë marrë pjesë në videoklip duke filluar nga Sabri Fejzullahu, Shyhrete Behluli…Të gjithë këta artistë janë të shoqëruar me personat që kanë aftësi të kufizuara, ku japin mesazhe përkrahëse ndaj tyre”, tha organizatori Shemsedin Sajhadi.

Ky projekt është edicioni i tretë, i cili mbahet çdo vit për të shënuar ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara. /RTV Dukagjini/Telegrafi/