Site icon Telegrafi

Socialdemokratët zgjerohen edhe në Vushtrri

Zgjerimi dhe shtrirja e Partisë Socialdemokrate ka vazhduar sot në Vushtrri. Me rastin e hapjes së zyrës së PSD-së në këtë komunë; nënkryetari Visar Ymeri, sekretarja e përgjithshme Aida Dërguti dhe koordinatorja e degës Mirjeta Ibishi, kanë paraqitur para vushtrriasëve rëndësinë e politikave socialdemokrate nëpërmes një organizate të mirëfilltë demokratike.

“Mungesa e zgjerimit të rrjeteve të kanalizimit dhe ujësjellësit, shpërndarja e ujërave të zeza, pronat e zaptuara publike, ndotja e lumenjve, si dhe degradimi i trashëgimisë kulturore në Vushtrri, dëshmojnë më së miri nevojën e ushtrimit të politikave të munguara publike, sociale dhe mjedisore në Republikën e Kosovës.

Politikat neoliberale të pasluftës që kanë thelluar varfërinë, rritur papunësinë dhe prekariatin në Republikën e Kosovës; kanë goditur edhe bujqësinë e Vushtrrisë, si një nga burimet kryesore socio-ekonomike të komunës. Me politikat e saj proteksioniste dhe të qëndrueshme në bujqësi, Partia Socialdemokrate ka alternativën ndaj tjetërsimit të tokave bujqësore dhe konkurrencës së padrejtë në agro-industri, në funksion të punësimit dhe të zhvillimit të bujqësisë për të gjithë”, thuhet në njoftimin për media.

Interesimi i sotëm i qyterarëve në Vushtrri për angazhim në Partinë Socialdemokrate, po shpërfaq çdo ditë e më shumë vullnetin mbretërues në Republikën e Kosovës, për bashkëveprim politik si aktivistë të barabartë, drejt ndërtimit të një shoqërie të nesërme barazitare. /Telegrafi/

Exit mobile version