Zyrtarët e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) të kancelarit Olaf Scholz refuzuan një kërkesë për përjashtimin e ish-kancelarit Gerhard Schroder nga partia, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me sektorin rus të energjisë dhe presidentin Vladimir Putin.
Bordi i arbitrazhit i degës së SPD-së në Hanover shqyrtoi 17 kërkesa të anëtarëve të partisë për të nisur procedimin kundër ish-kancelarit.
Schroder ka lidhje të gjata me sektorin energjetik të Rusisë dhe refuzoi të distancohej plotësisht nga Putin pasi Rusia pushtoi Ukrainën.
Megjithatë, bordi i SPD përcaktoi se veprimet e tij nuk përbënin shkelje të rregullave të partisë, sipas mediave gjermane.
Mundësia që Schroder të përjashtohej nuk ishte e madhe pasi në Gjermani përjashtimi i anëtarëve të partive politike është një proces kompleks, kërkues dhe shpeshherë i gjatë, pas të cilit shpeshherë nuk ka përjashtim.
Megjithatë, vendimi i sotëm mund të apelohet.
Schroeder ishte kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2005, dhe lider i SPD nga 1999 deri më 2004. /kp/Telegrafi/