Telegrafi

SNIP: Punëtorë kinezë vazhdimisht lëvizin në Maqedoni, të parandalohet përhapja e coronavirusit

Ilustrim

Sindikata për ndërtimtari, industri dhe projektim (SNIP) apelon që të merren masa adekuate, që të parandalohet paraqitja eventuale e coronavirusit në Maqedoni, në pajtim me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Nga kjo sindikatë thonë se ka vajtje dhe ardhje nga punëtorët e kompanisë kineze “Sinohidro”. Nga sindikata kërkojnë që të kufizohet qëndrimi i punëtorëve për punë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kompania kineze “Sinohidro” kryen aktivitete në disa lokacione me të punësuar nga Republika e Kinës, të cilët rregullisht lëvizin në relacionin Kinë – Maqedoni. Ju bëjmë thirrje si përgjegjës për punëtorët tonë dhe qytetarët, me kompetencat tuaja të ndërmerrni masa adekuate për parandalimin e përhapjes së virusit në territorin tonë”.

“Si sindikatë e vetme përfaqësuese të punëtorëve nga sektori i ndërtimtarisë dhe industrisë, jemi të shqetësuar për punëtorët dhe qytetarët dhe presim informacion kthyes për masat e ndërmarra, me qëllim që të shmangen ndalesat dhe shtyrjet e paplanifikuara të aktiviteteve që janë në rrjedhë”, thonë nga SNIP.

Ndryshe, nga coronavirusi deri tani jetën e kanë humbur 490 persona, ndërsa janë infektuar rreth 16,600 persona./Telegrafi/