Snajperistët nga njësitë elitare ushtarake dhe policore nëpër botë shpesh përdorin thënien “një e shtënë, një i neutralizuar”. Ata sa herë që e gjejnë veten në vijën e parë të frontit, duhet të kujdesen për jetët e kolegëve të tyre që janë më të ekspozuar nga plumbat e armikut.
Për këtë duhet t’i bëjnë llogaritë se nga mund t’ju vijnë plumbat apo predhat, dhe kështu janë të përgatitur për gjithçka siç edhe trajnohen nga eprorët e tyre. Megjithatë, “thënia një e shtënë, një i neutralizuar” nuk vlen për të gjithë. Një pjesëtarë i njësisë elitare të ushtrisë britanike identiteti i të cilit nuk është zbuluar, kishte arritur që me një plumb të “neutralizojë” 6 talebanë, transmeton Telegrafi.
Nuk dihet aq shumë për këtë snajperist, pasi ushtria britanike mban të fshehtë identitetin e tij për shkaqe sigurie. Por, ajo çfarë dihet për të është se është pjesë e batalionit të parë. Ai ishte bërë i njohur kur gjatë një aksioni ushtarak përdori pushkën L115A3 AWM, të kalibrit 338.
Thuhet se gjatë misionit të tij të parë kishte goditur me plumb në gjoks një taleban që mbante në dorë mitraloz, dhe atë e kishte arritur nga një distancë prej 1340 metra. Aftësitë e tij në përdorimin e snajperit asnjëherë nuk janë vënë në pikëpyetje, kështu që është absurde të thuhet se gjatë të shtënave kishte pasur fat.
Rrëfimi i tij fillon në një ditë të ftohtë të dhjetorit të vitit 2013, diku në provincën Helmund të Afganistanit, kur gjatë një patrullimi rutinor vërejti se një grup i talebanëve po u afroheshin forcave britanike, dhe kështu arriti t’ua përgjoj edhe bisedat e tyre në radiolidhje.
Ata kishin planifikuar të kryejnë një sulm të përgjakshëm ndaj forcave britanike, dhe kështu nuk kaluan shumë minuta dhe filluan të shtënat e para. Pasi që talebanët ishin fshehur pas shkëmbinjve, ai nuk kishte pamje të pastër, por një moment ata ndërruan pozicionin dhe këtu u fut në aksion.
Ai shkrepi një plumb nga 850 metra lartësi dhe goditi drejt në gjoks terroristin, aty ndodhi një shpërthim. Në vendin ku ishin fshehur talebanët kishte pasur rripa të mbushur me eksploziv që ishin planifikuar të përdoren gjatë sulmeve kundër ushtarëve britanikë, por gjithçka ndërroi plumbi i shkrepur nga ky snajperist.
Luftimet nuk zgjatën shumë pasi që shpërthimi nga plumbi i snajperistit ua mori jetën 6 talebanëve. Disa momente më vonë ai kishte raportuar në radiolidhje duke thënë: “më duket se qëllova një kamikaz”. E shtëna e tij e vetme ua kishte shpëtuar jetën dhjetëra ushtarëve britanikë. /Telegrafi/