Në atentatin dështuar në burgun e Vaqarrit ka “gisht” një gardian, ndërsa hakmarrësi për vrasjen e vëllait kishte më pak se një vit që planifikonte gjthçka.
Historia komplekse mes fisit Kolaveri dhe Daci është shpalosur dhunshëm në Kamzë, kur nëntorin e vitit të kaluar 28-vjeçari Valter Kolaveri u qëllua për vdekje. Më tej në Vaqarr, i vëllai i viktimës, Ergys Kolaveri, me një armë snajper qëlloi për të vrarë Gazmir Dacin, por plagosi një kosovar.
Polici informator
Nga burimet e Policisë së Tiranës konfirmohet për “Shqip” se Daci kishte një informormator të brendshëm, një polic burgjesh që ka pasur lidhje shoqërore me familjen Kolaveri. Autoritetet e burgjeve kanë nisur një hetim administrativ, për të përcaktuar rolin e secilit prej punonjësve dhe lëvizjet e tyre përgjatë 30 korrikut.
Trafiqe dhe përgjakje
Por e gjithë kjo seri atentatesh dhe përgjakje, i ka rrënjët në zonën Calais të Francës, ku peshkatarët atje marrin nga 20 emigrantë për një rrugë, për t’i dërguar në Angli. Transporti kryhet për llogari të bandave shqiptare, të cilët marrin nga 10 mijë paund për çdo emigrant. Përveç varkave, transporti kryhet edhe me jahte ose avionë të lehtë. Shqiptarët “kopsisin” edhe letra nëse paguan më shumë dhe sigurojë madje edhe transport komod. Kur RENEA vuri prangat 27-vjeçarit Daci, mes 22 dhe 23 dhjetorit 2015, në dhomën e hotelit, ai rrëfeu edhe përse e vrau Valterin më 4 nëntor 2015 dhe i plagosi vëllain, Robertin. Të tre jetonin prej kohësh në Francë dhe aktiviteti i tyre ishte transportimi ilegal i klandestinëve nga Franca drejt Anglisë. Sipas rrëfimit të 27-vjeçarit të dyshuar për vrasje, dy vëllezërit Kolaveri, e kishin rrahur në bodrumin e një banese. Shkak për sherrin ishte bërë prishja e pazareve për transportimin e klandestinëve nga Franca në Britaninë e Madhe dhe se Daci po u merrte klientët vëllezërve.
Ç’ndodhi në Vaqarr
Ergys Kolaveri dhe Enea Ceka (kushëriri me familjen Kolaveri), të dy të arrestuar, tentuan të vrisnin me snajper brenda burgut nga një distancë prej 150 metrash, 27-vjeçarin Elson (Gazmir) Daci, lindur në Kukës dhe banues në Bathore. Ditën e shtunën dy kushërinjtë gabuan shënjestër dhe plagosën në këmbë kosovarin Lili Dulaj. Ky i fundit, banon në Tiranë dhe prej muajsh është lënë në burg për “dhunë në familje” dhe ekspertët kanë përcaktuar se u plagos gabimisht. /Gazeta Shqiptare/