Telegrafi

Smaka: Pushteti po amniston krimin e organizuar dhe korrupsionin

Një ndër sfidat më të mëdha, me të cilat po përballet Kosova, mbetet pa dyshim shkalla e lartë e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që tashmë thuajse këto dukuri negative kanë depërtuar në çdo segment dhe pore të shoqërisë, dhe për fat të keq edhe në instancat më të larta të shtetit.

Derisa të gjitha shtetet, që sot janë apo pretendojnë të jenë demokratike, ku do të funksiononte sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës po e luftojnë këtë dukuri, tek ne mbetet e kundërta, pasi janë vetë pushtetarët dhe njerëzit e sistemit të drejtësisë ata, të cilët nuk po e lejojnë që t’i hapet rrugë kësaj lufte. Por, a shihen shenja pozitive, sidomos pas ardhjes së kryeprokurorit Aleksander Lumezit në krye të Prokurorisë së Shtetit, por a do të hetohen edhe të paprekurit e mafio-politikës?

Profesori Riza Smaka në një prononcim për “Kosova Sot” thotë se korrupsioni ka kapluar çdo sferë të shoqërisë si administratën publike, ashtu edhe Prokurorinë e Gjyqësorin, teksa në anën tjetër, sipas tij, kemi një kastë personash, që është pasuruar në mënyrë të dyshimtë gjatë rrethanave të luftës për të vazhduar edhe në ditët e sotme.

Smaka thotë se në saje të kapitalit të bërë kanë krijuar edhe monopol dhe kartele në treg, po ashtu edhe konkurrencë jolojale, duke e shkatërruar kësisoj pos të tjerash edhe ekonominë.

Tutje, Smaka shprehet se në këtë mënyrë kjo kastë e njerëzve krijon edhe pasuri marramendëse, me të cilën do të mund të korruptonte individë, madje edhe institucionet t’i paralizojë nga funksionimi.

“Deri më sot krimi nuk është ndjekur fare nga organet kompetente, ku shumë lëndë kanë mbetur të pakryera, disa të tjera të parashkruara e plot lëndë të zhdukura që prapa tyre qëndron krimi i organizuar”, shprehet Smaka.

Smaka e inkurajon kryeprokurorin Lumezi që të bëjë ndryshime fillimisht në struktura, e më pastaj ta përtërijë strukturën e prokurorisë dhe të veprojë sipas Kodit të procedurës penale, sipas ligjit të aplikuar, pasi në këtë formë do ta ketë mbështetjen e gjerë të shoqërisë civile, pastaj opozitës parlamentare, të qytetarëve e të botës akademike, pavarësisht asaj se do të ketë rezistencë nga të gjitha strukturat e burokratizuara.

“Ne kemi raste, kur presidentja e shkel Kushtetutën, kryetari i Kuvendit, po ashtu kryeministri, dhe vetë Gjykata Kushtetuese ka shkelur Kushtetutën, duke krijuar dispozita kushtetuese, që nuk i ka interpretuar ato dhe ka krijuar kundërshtime në dispozitat aplikative të Kushtetutës”, shprehet ai, për Kosova Sot.