Njohësi i Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka seancën e sotme dëgjimore në lidhje me votën e deputetit Etem Arifi e ka vlerësuar si spektakël mediatik, duke thënë se nuk ka pasur nevoje për një seancë publike dhe se kjo nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese ka trajtuar çështje në bazë të politikave ditore.
Smaka në një prononcim për Telegrafin tha se Gjykata Kushtetuese, në bazë të Kushtetutës së vendit do të duhej të thoshte fjalën e saj disa muaj më parë.
Sipas tij, pyetjet që u bënë sot gjatë seancës ishin jorelevante.
“Kjo çështje në aspektin juridik është e thjeshtë. Apsolutisht nuk ka pasur nevojë për seancë dëgjimore, publike fare. Këtë çështje Gjykata Kushtetuese ka qenë dasht ta kishte vendosur disa muaj më parë”, u shpreh Smaka.
Smaka tha se “Gjykata Kushtetuese nuk duhet të kalkulojë me interesa politike ditor”.
“Gjykata e ka Kushtetutën pikënisje, e ka fundament edhe do të duhej të kishte vendosur sipas Nenit 70, paragrafi 3, alinesë së 6 të Kushtetutës, e cila thotë se “Deputetit/es, i pushon mandati nëse do të dënohej mbi një vit”. Zotëri Arifi ka qenë i dënuar plotfuqishëm mbi një vit, prandaj këto tjerat që prezantuan aty janë spektakle mediatik, asgjë tjetër”, tha Smaka.
Ai shtoi se në këtë seancë shumica e pyetjeve kanë qenë irelevante që nuk kanë të bëjnë fare me faktin qenësor.
“Fakti qenësor është: A ishte deputet? Po. Ka qenë i dënuar me aktgjykim penal mbi një vit? Po.E Kushtetuta thotë që mandati i pushon. Nuk ka aty procedura, as komision për imunitete e të tjera. Ajo fundi i fundit nuk e vendos çështjen, por vetëm vlerëson se ka qenë një deputet, i ka pushuar mandati dhe në vendin e tij vjen deputeti apo deputetja që ka pasur vota menjëherë pas tij”, tha Smaka për Telegrafin.
Më tej theksoi se kjo nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese trajtojnë çështje të cilat nuk janë konformë me Kushtetutën.
“Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese trajton çështje të cilat janë jo-konformë Kushtetutës në mënyrë strikte, dogmatike, logjike, por me politika ditore”, u shpreh Smaka.
Ndryshe, gjatë të mërkurës u mbajtë seanca dëgjimore në lidhje me votën e deputetit Hetem Arifi për Qeverinë Hoti.
Në këtë seancë e cila u mbajt online dhe zgjati për më shumë se 3 orë, u dëgjuan argumentet e palëve si dhe u parashtruan pyetje nga gjyqtarët e gjykatës.
Kryetarja e gjykatës, Arta Rama-Hajrizi njoftoi se kur gjykata të marrë vendim, palët do të njoftohen.
“Këto argumente ose argumentet plotësuese që dëgjuam sot, mund të përmbledhjen dhe të dorëzohen me shkrim deri më datën 7 dhjetor në Kushtetuese. Përmes kësaj seance, gjykata ka precizuar qëndrimet e të gjithëve. Porsa gjykata të marrë vendim, do të njoftohen palët. Kur të bëhet vendimi i shkruar u dërgohet të gjithëve. Palët do të njoftohen me kohë”, u shpreh Rama Hajrizi.
Ajo shtoi se në ditët në vijim Gjykata do të mblidhet për seancën për këshillim dhe votim ku do të vendos për çështjen. /Telegrafi/