Si qershia mbi tortë ashtu janë edhe sloganet për fushatat partiake, të partive që synojnë një pushtet të caktuar, si lokal ashtu dhe qendror.
Niveli i politikës në Kosovë nuk është se çon shumë peshë për slogane, por edhe vendosja e tyre pa ndonjë lidhje paraprake zgjedhore, dhe ajo pas zgjedhjeve, me politikat përcaktuese dhe që synojnë, janë shumë të ndryshme nga ajo çka synojnë me sloganin e vendosur.
Ndërsa, në shtetet perëndimore, e së fundi edhe në Shqipëri sloganet janë “qitë herë në sitë e herë në shoshë”.
Paguhen ekspertë dhe njerëz me karrierë të majme politike, e debatohet me muaj të tërë nëpër qarqe politike brenda partisë që të vë në fund një slogan që ndoshta nuk është më shumë se një fjalë apo dy fjalë dhe një lidhëz.
Shumë herë ka ndodhur që të jetë slogani ai që ka humbur një pjesë të votave, ngaqë nuk ishte aq i qartë sa ta kuptonin të gjithë, sikurse ideatori.
E tillë është gjendja edhe në ekonomi, në reklama dhe sigla të kompanive, duke iu përshtatur rajonit, shtetit dhe kulturës se ku po i shesin produktet. Ndërkaq, politika e ka të gjithë shtetin në dorë dhe i duhet një slogan unifikues ku të gjithë përkrahësit e X partisë ta ndjenjë veten të sigurt dhe ballëlartë kur dëgjojnë që përsëritet slogani i tyre.
Në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Partia Demokratike si slogan e kishte “Ne jemi ndryshimi. Përpara!”. Partia Socialiste e kishte “Rilindje”, dhe Lëvizja Socialiste për Integrim “Të ecim më shpejt”! Në analizat e personave që merren me çështje të impaktit në popull, PD-ja ka rrëshqitur pak në slogan, ngaqë pas një qeverisje prej dy mandatesh, ndryshimi kuptohej se deri atëherë nuk kishin punuar mirë e suksesshëm dhe pas fitores në zgjedhjet e qershorit do të fillonin të punonin. Ky është vetëm një shembull nga ata të shumtë që mund të merren me punën e dështimit të partive me anë të sloganeve.
Partitë dhe shtabet e tyre duhet të punojnë mjaft shumë në këtë drejtim, sepse nëse vendosin ndonjë slogan që brendësia e tij fillon nga aty, është mjaft vështirë. Por, nëse slogani është si vazhdimësi dhe vulosë veprimet e pandërprera, atëherë ka shpresë që të “shkrep” një i tillë.